Kosova humb nga Anglia, por jo edhe gjasat për kualifikim në europian

Kosova është mposhtur në Prishtinë nga Anglia 0:4, në ndeshjen e fundit kualifikuese të grupit A, për kampionatin europian që zhvillohet vitin e ardhshëm.

1308463
Kosova humb nga Anglia, por jo edhe gjasat për kualifikim në europian
Kosova_İngiltere karşılaması3.jpg
Kosova_İngiltere maç öncesi.jpg
Kosova_İngiltere karşılaması_Gareth Southgate.jpg
Fatmir Matoshi_Avni Ahmeti.jpg
Kosova ile Karadağ arasındaki sınır sorunu.jpg
Kosova-Karadağ sınır anlaşması (demarkacion).jpg

Kosova humb nga Anglia, por jo edhe gjasat për kualifikim në europian

Kosova dhe Anglia zhvilluan një ndeshje jo shumë interesante, ku anglezët e mbajtën në tërësi kontrollin e lojës për të fituar në fund thellësisht 4:0. Winks në minutën e 32 e zhbllokoi rezultatin duke kaluar Anglinë në epërsi, i cili ishte goli i vetëm në pjesën e parë. E në pjesën e dytë, futbollistët e skuadrës sonë, u munduan të bëjnë më shumë, por assesi nuk ia dolën të rrezikojnë seriozisht portën e anglezëve. Anglezët pa shumë mund, arritën në vazhdim të shënonin edhe tre gola, përmes Harry Kane në minutën e 79, Rashford në të 83’tën, si dhe në fund përmes Mount. Kosova kualifikimet e Europianit 2020, i mbylli në pozitën e tretë me 11-të pikë, kurse Anglia shkon në europian si lider i Grupit A me 21 pikë. Çekia e cila humbi si mysafire e Bullgarisë 1:0, ka tubuar 15 pikë dhe shkon si e dyta. Kosova tani ka edhe opsionin e dytë për kualifikim në Europianin e ardhshëm, ku në mars luan sfidën me Maqedoninë.

*

Challandes i zhgënjyer me rezultat 

Trajneri i Kombëtares së Kosovës, Bernard Challandes, ka folur pas ndeshjes me Anglinë, duke u shprehur se është I zhgënjyer me rezultat. Megjithatë ai ka shtuar se ka parë gjëra të mira në këtë ndeshje sa I përket Kosovës, por edhe një nivel të lart të efikasitetit të anglezëve, duke shënuar thuajse në çdo rast.

“Kemi pasur disa mundësi, por nuk ishim të mirë në pasimin e fundit. Jam i zhgënjyer, por mund të nxjerrim diçka pozitive nga kjo ndeshje”, u shpreh Challandes.

Ai foli për lojtarin e Kosovës Ibrahim Dresevic duke thënë se ai ka qenë pasqyrë e skuadrës, sepse ka pasur një ndeshje të mirë, por ka bërë edhe gabime të mëdha.

Challandes ka përmendur edhe mungesën e Vedat Muriqit, si një sulmues I cili I ka munguar skuadrës.

*

Southgate i dëshiron sukses Kosovës

Trajneri i Anglisë, Gareth Southgate, pas fitores, ka thënë se Kosova u ka bërë të vështirë lojën, posaçërisht në pjesën e parë.

“Ishte e vështirë të luajmë në presion por shënuam një gol të bukur dhe e hapëm lojën. Në 70 minuta është dashur të mbajmë presionin. Atmosfera ishte e mrekullueshme. Nuk kam përjetuar kurrë atmosferë më të mirë se në Kosovë”, shtoi Southgate.

Tutje ai foli për gjasat e Kosovës në Ligën e Kombeve si dhe për mikpritjen e tifozëve.

“Ne ju urojmë fat dhe ju falënderojmë për këtë pritje”, tha Southgate.

*

Ambasada e Britanisë uron Anglinë dhe Kosovën 

Ambasada e Britanisë së Madhe në Prishtinë ka përgëzuar futbollistët e Anglisë për fitore, ndërsa ata të Kosovës për shpirtin luftarak të treguar në terren.

“Urime Angli për fitoren sonte. Dhe urime Kosovë për shpirtin luftarak që treguan. Çfarë udhëtimi i shkëlqyeshëm për këtë ekip të Kosovës në kualifikimet e Euro 2020”, thuhet në një postim në Facebook.

*

Halimi përmend mungesën e Muriqit

Besar Halimi është shprehur i dëshpëruar që nuk e nisi takimin nga fillimi, por edhe për rezultatin në dy ndeshjet e fundit, më Cekinë dhe Anglinë.

Ai tha se u ka munguar sulmuesi Vedat Muriqi.

“Na mungoi shumë Vedat Muriqi, por besoj se edhe Nuhiu ka bërë dy lojë të mirë, dhe golin që ka shënuar në Ceki. Jemi të lumtur që kemi Nuhiun, por normal na mungon Muriqi”.

“Lojën me Çekinë kemi qenë të dëshpëruar sepse s’kemi dhënë atë që mundemi. Sot pa presion kemi luajtur më mirë, për popullin tonë. Shpresoj që me këto dy ndeshje do të rritemi edhe më shumë”, ka përmbyllur ai.

*

Demarkacioni me Malin e Zi juridikisht e kryer, thotë kreu I LDK-së Mustafa

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se çështja e demarkacionit me Malin e Zi juridikisht është punë e kryer dhe se nuk do të ketë rishikim të marrëveshjes. 

“Marrëveshja është ratifikuar në Kuvendin e Malit të Zi kjo që është, por edhe në Kuvendin e Republikës së Kosovës është ratifikuar kjo marrëveshje. Dhe kjo marrëveshje tash është e ratifikuar, në qoftë se ka vullnet prej Malit të Zi që edhe njëherë të rishqyrtohet është çështje tjetër. Mirëpo në pikëpamje juridike, në pikëpamje legale marrëveshja është e përfunduar, sepse e kanë ratifikuar dy kuvendet”, tha Mustafa.

Megjithatë, kryetari I LDK-së për ekonomiaonline është shprehur i bindur se marrëveshja për demarkacionin është e drejtë dhe se Kosova nuk humb asnjë metër katror dhe se kufiri është vendosur në pikat ku ka qenë edhe më herët. Mustafa ka folur edhe për taksën duke bërë të ditur se me VV-në janë dakorduar që taksa të mbetet si pjesë e masave reciproke ndaj Serbisë. 

Lideri i LDK-së ka  thënë se ideja e Mini Shengenit Ballkanik është e panevojshme dhe në dëm të Kosovës, pasi që ka thënë se Serbia vazhdon ende të mos i zbatojë marrëveshjet e arritura me Kosovën.

*

Marrëveshja Kosovë-Serbi për shkëmbim territoresh ekziston, thotë ish zyrtari amerikan i shtetit Hooper

Ish-zyrtari i Departamentit amerikan të Shtetit dhe analisti James Hooper, tha se marrëveshja Kosovë-Serbi për shkëmbim territoresh ekziston, e bashkë me të edhe anëtarësimi i Kosovës në OKB. Sipas zyrtarit amerikan, realiteti është se marrëveshja nuk do të ndryshojë por ai nuk e di se si Albin Kurti do të reagojë për një gjë të tillë si kryeministër.

Deklarata e ish-zyrtarit të Departamentit amerikan të Shtetit i dhënë Zërit të Amerikës ka bërë jehonë në Kosovë duke u publikuar në të gjitha mediumet.

Ai citohet të ketë thënë se ekzistimi I marrëveshjes do të jetë vështirësia për Kosovën dhe në veçanti për zotëri Kurtin, sepse ai shihet si dikush që ka marrë një pozicion të linjës së ashpër.

“Ai do të zbulojë se në fakt ka tashmë një marrëveshje dhe se nuk do të jetë në gjendje t’i ndryshojë këto kushte”, ka thënë analisti amerikan.

Amerikani që është njohës edhe i çështjeve të Ballkanit, thotë se Kurti do të gjendet përballë një realiteti, i cili për të, mund të jetë i vështirë për t’u pranuar.

Më tutje Hooper ka thënë se “Ajo në fakt është zgjidhur mes palëve, mes Vuçiç dhe Thaçit. Mund të ketë disa gjëra të vogla për t’u zgjidhur por në thelb është rënë dakord për këtë marrëveshje”.

Sipas tij problem i madh ishte se marrëveshja nuk u bë publike kurrë plotësisht dhe njerëzit kurrë nuk patën asnjë shans ta votojnë atë. Kështu që sipas amerikanit Hooper gjithnjë është e lehtë të sulmosh një marrëveshje të panjohur, kushtet e së cilës nuk i njeh. 

*

Marrëveshje për përmirësimin e shërbimeve kadastrale 

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Agjencia Kadastrale e Kosovës nënshkruan 6 udhëzime administrative, të cilat u tha se do të përmirësojnë shërbimet në fushën e kadastrës dhe regjistrimit të pronës. Ministri në detyrë i Mjedisit, Fatmir Matoshi, tha se me nënshkrimin e këtyre udhëzimeve po fillon një periudhë e re në fushën e kadastrit dhe pronës.
Edhe kryeshefi ekzekutiv i Agjencisë Kadastrale, Avni Ahmeti, tha se dokumentet që u nënshkruan do të ndikojnë pozitivisht në ofrimin e shërbimeve të qytetarëve. Ai tha se tash e tutje do të kërkohet rritje e efikasitetit në punë për drejtorët e kadastrit në komuna të Kosovës dhe për gjeodetë ndaj të cilëve ka pasur ankesa nga qytetarët.

*

Daka ftesë për integritet të procesit të ri-numërimit

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, ka ftuar subjektet politike dhe vëzhguesit e tyre të tregojnë kujdes maksimal për integritetin e procesit që po zhvillohet në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve. Daka, në një deklaratë ka thënë se çdo cenim i procedurave dhe rregullave të Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve është në kundërshtim me deklaratën e vëzhguesit të nënshkruar prej tyre si dhe në kundërshtim me ligjin. Ajo ka thënë se zyrtarët e numërimit duhet të lejohen të kryejnë punën e tyre në mënyrë të lirë, të papenguar dhe profesionale.

“Çdo ndërhyrje në punën e zyrtarëve të numërimit vështirëson dhe ngadalëson procesin për certifikimin e rezultateve përfundimtare si dhe detyron KQZ-në të marrë masa ndaj personave që nuk respektojnë rregullat për vëzhgim”, ka thënë Daka.

Procesi i rinumërimit të votave ka filluar para disa ditësh. PZAP ka urdhëruar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që të rinumërojë 1 mijë e 428 vendvotime. Procesi pritet të zgjasë tri javë.

*

Të dhunuarat gjatë luftës, stigmatizohen 

Të mbijetuarit e dhunës gjatë luftës së fundit në Kosovë vazhdojnë të stigmatizohen nga shoqëria,është thënë në konferencën e organizuar nga Komisioni Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar Gjatë Luftës në Kosovë.

Komisioni, që nga themelimi ka nxjerrë ligjin për pension për të mbijetuarit e luftës, ka hartuar legjislacionin e nevojshëm, ka lëshuar linjën telefonike si dhe ka mbajtur shumë aktivitete vetëdijesuese rreth raportimit të të mbijetuarve të dhunës seksuale. Drejtoresha e këtij Komisioni, Minire Behaj Balaj, tha se megjithatë numri më i madh i të mbijetuarve të dhunës seksuale, mbetet i mbyllur dhe në heshtje.

Ndërsa, ish deputetja Saranda Bogujevci, e cila është e mbijetuara e masakrës nga lufta e fundit në Kosovë, tha se është për keqardhje që mundësia për t’i paraqitur vuajtjet e tyre nuk i jepet secilit që ka përjetuar dhunë në çfarëdo forme.

Që nga themelimi i këtij komisioni në vitin 2017, për ta marrë statusin e të dhunuarës seksuale kanë aplikuar rreth 1 mijë veta, gjysma prej të cilave u është njohur ky status.



Lajme të ngjashme