Frank Ribery i bashkohet Fiorentinës për dy sezonet e ardhshme

Franck Ribery është zyrtarisht një lojtar i ri i Fiorentinës. Klubi violë i Italisë njoftoi të mërkurën se ka nënshkruar me ish-lojtarin francez të Bajernit të Munihut një kontratë dyvjeçare prej 4 milionë eurosh në sezon.

Frank Ribery i bashkohet Fiorentinës për dy sezonet e ardhshme

Futbollisti i ri i Fiorentinës, i cili do të veshë fanellën me numër 7, do të prezantohet të enjten e 22 gushtit në orën 5:30, në Sallën e Shtypit “Manuela Righini” të Stadiumit “Artemio Franchi”.

Ribery ishte një lojtar i lirë që prej skadimit të kontratës së tij me Bajernin në fund të sezonit të kaluar.

Ai kaloi 12 sezone me klubin gjerman duke fituar mes të tjerash 9 tituj në Bundesligë, 6 Kupa të Gjermanisë, si dhe Ligën e Kampionëve të UEFA-së në vitin 2013.

Lojtari anësor 36-vjeçar ka shënuar 124 gola dhe ka dhënë 182 asiste në 425 ndeshje për klubin bavarez.

Para se t’i bashkohej Bajernit të Munihut, Ribery ka luajtur edhe për klube si Boulogne, Ales, Brest, Metz, Marseille dhe Galatasaray.

Gjithashtu Frank Ribery ka bërë 81 paraqitje dhe shënuar 16 gola për kombëtaren franceze të futbollit.


Fjalët Kyçe: Fiorentina , Frank Ribery , futboll

Lajme të ngjashme