Volejboll – Turqia kampione e Ligës së Artë të CEV 2019

Kombëtarja turke e volejbollit për meshkuj u shpall kampione e Finales Katërshe të Ligës së Artë të Konfederatës Evropiane të Volejbollit (CEV) 2019 duke mposhtur në finale Bjellorusë me rezultatin 3-0 në sete.

Volejboll – Turqia kampione e Ligës së Artë të CEV 2019

Turqit e siguruan titullin duke fituar 25-16, 25-21 dhe 25-19 në sete kundër bjellorusëve në Finalen Katërshe, e cila u organizua në kryeqytetin Talin të Estonisë.

Dy kombëtaret finaliste garantuan të drejtën e pjesëmarrjes në Kupën e Sfiduesit (Challenger Cup) të Federatës Ndërkombëtare të Volejbollit (FIVB), që do të organizohet gjatë muajit të ardhshëm në kryeqytetin Lubljanë të Sllovenisë.

Skuadra kampione e Kupës së Sfiduesit të FIVB-së do të sigurojë biletën për në Ligën e Kombeve në Volejboll, FIVB 2020.

Ndërsa në takimin për vendin e tretë, Holanda fitoi me rezultatin 3-0 në sete kundër vendasve të Estonisë.

Ministri i Rinisë dhe Sportit, Mehmet Muharrem Kasapoglu, mori në telefon trajnerin e kombëtares turke të volejbollit për meshkuj, Nedim Ozbey dhe presidentin e Federatës Turke të Volejbollit, Mehmet Akif Ustundag, të cilët i uroi për suksesin në fjalë.

“U uroj suksese në Slloveni ‘Trimave të Rrjetës’, të cilët fituan të drejtën për të përfaqësuar vendin tonë në Kupën e Sfiduesit të FIBV-së”, shkroi ai gjithashtu në një mesazh urimi nga llogaria e tij në rrjetin social “Twitter”.



Lajme të ngjashme