Panucci i kënaqur me lojtarët e tij

Trajneri i Kombëtares së Shqipërisë në Futboll, Christian Panucci, tha sot se Turqia ka një skuadër të fortë, në prag të ndeshjes me Kombëtaren e Turqisë që do të luhet në Shkodër.

Panucci i kënaqur me lojtarët e tij

Christian Panucci, në konferencën për mediat në lidhje me futbollistët e grumbulluar për dy ndeshjet zyrtare me Turqinë dhe Andorrën, ndeshje kualifikuese për Kampionatin Evropian në futboll "EURO 2020", tha se ai është i kënaqur me grupin e lojtarëve që ka për këto dy ndeshje. 

Pyetjes së AA-së rreth vlerësimeve për ekipin turk dhe pritshmëritë rreth ndeshjes me Turqinë, trajneri Panucci iu përgjigj se: "Turqia është skuadër e fortë dhe me shumë cilësi. Ka ndryshuar trajnerin dhe si skuadër është më e fortë se ne. Duhet të jemi më të fortë se ata për ta mundur, por kam besim shumë tek djemtë e mi. Kërkoj gjithmonë të jem pozitiv që të jemi të aftë që të mundim Turqinë." 

Trajneri i Kombëtares së Shqipërisë në Futboll, shtoi se është i bindur që mund ja dalin me Turqinë dhe se do provojnë ta fitojnë ndeshjen. 

Në lidhje me futbollistët e grumbulluar dhe pritshmërite brenda grupit H, për fazën eliminatore të “EURO 2020”, ai tha se "Jam i kënaqur me lojtarët që kam, mund të ishin edhe tjerë, por varet edhe nga forma. Tani kam nevojë për lojtarë që janë gati, që janë ekspertë. Nëse do bëjmë lojë të mirë, mund të dalim të tretët, nëse do bëjmë diçka më speciale mund dalim të dytët. Unë jam i bindur se mund të bëjmë diçka speciale." 

Panucci, në lidhje me ndeshjen me Andorrën u shpreh se do të mundohen që të dominojnë.

Sa i përket pyetjes se çfarë do jetë ndryshe në fazën eliminatore të “EURO 2020”, Panucci tha se: "Në sjellje nuk do të ndryshojmë shumë në aspektin taktik, por mënyra e lojës do jetë po ajo që kemi pasur. Kemi rikuperuar disa lojtarë dhe besoj se do të ndryshojë diçka që nga ndeshja miqësore që kemi luajtur me Turqinë. Mund të luajmë 4-3-3, 3-5-2, do ta shohim." 

“Ajeti dhe Abrashi janë rikuperuar. Vjen edhe Qose të cilin e kam ndjekur gjithë dimrin. Ka presion, pasi ka presion për të shkuar në Evropian. Duhet të jesh krenar të luash me kombëtaren”, tha trajneri Panucci. 

Lista e futbollistëve e publikuar nga trajneri Panucci për ndeshjet me Turqinë dhe Andorrën është si vijon: Etrit Berisha, Alban Hoxha, Thomas Strakosha, Arlind Ajeti, Naser Aliji, Ivan Balliu, Egzon Binaku, Berat Djimsiti, Elseid Hysaj, Ardian Ismajli, Enea Mihaj, Frederic Veseli, Amir Abrashi, Migjen Basha, Ergys Kaçe, Andi Hila, Ledian Memushaj, Kristi Qose, Taulant Xhaka, Kristal Abazaj, Bekim Balaj, Eros Grezda, Armando Sadiku dhe Myrto Uzuni. 

Për fazën eliminatore të “EURO 2020” Shqipëria dhe Turqia do të jenë në grupin H, së bashku me Francën, Islandën, Moldavinë dhe Andorrën. 

Ndeshja të cilën kombëtarja e Shqipërisë do ta zhvillojë përballë Turqisë më 22 mars do të luhet në Stadiumin “Loro Boriçi” në qytetin e Shkodrës

Ndërsa ndeshja Andorra-Shqipëri do të luhet më 25 mars në Stadiumin “Estadi Nacional” në Andorra. (AA)



Lajme të ngjashme