Formula 1 – Hamilton shënon fitoren e katërt radhazi në Çmimin e Madh të Japonisë
Gara e 17-të e këtij sezoni në Formula 1 u zhvillua në pistën 5,8 km të gjatë të Suzukas, ku vendin e parë në fund të 53 xhirove e siguroi 33-vjeçari Hamilton, i cili u nis nga "pole position"...

Piloti britanik i Mercedesit, Lewis Hamilton, ka triumfuar mëngjesin e sotëm në garën për Çmimin e Madh të Japonisë, fitorja e katërt radhazi për të në Kampionatin Botëror të Formula 1.
Gara e 17-të e këtij sezoni në Formula 1 u zhvillua në pistën 5,8 km të gjatë të Suzukas, ku vendin e parë në fund të 53 xhirove e siguroi 33-vjeçari Hamilton, i cili u nis nga "pole position".
Në këtë sezon, kjo është fitorja e nëntë në total dhe e katërta radhazi për britanikun.
I dyti e kaloi vijën e finishit shoku i tij i skuadrës, Valtteri Bottas, ndërsa i treti doli Max Verstappen i Red Bull-TAG Heuer.
Klasifikimi provizor i pilotëve sheh në krye Hamiltonin me 331 pikë, 67 pikë përpara Sebastian Vettel të Ferrarit, i cili e përfundoi i gjashti garën e sotme. Ata ndiqen respektivisht nga dy shokët e skuadrës, Bottas (Mercedes) me 207 pikë dhe Kimi Raikkonen (Ferrari) me 196 pikë.
Çmimi i Madh i radhës do të mbahet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, më datë 21 tetor.
Renditja e 10 pilotëve më të mirë në Çmimin e Madh të Japonisë është:
- Lewis Hamilton (Mercedes)
- Valtteri Bottas (Mercedes)
- Max Verstappen (Red Bull-TAG Heuer)
- Daniel Ricciardo (Red Bull-TAG Heuer)
- Kimi Raikkonen (Ferrari)
- Sebastian Vettel (Ferrari)
- Sergio Perez (Racing Point Force India)
- Romain Grosjean (Haas-Ferrari)
- Esteban Ocon (Racing Point Force India)
- Carlos Sainz (Renault)
Klasifikimi provizor i pilotëve është:
- Lewis Hamilton (Britani e Madhe): 331 pikë
- Sebastian Vettel (Gjermani): 264
- Valtteri Bottas (Finlandë): 207
- Kimi Raikkonen (Finlandë): 196
- Max Verstappen (Holandë): 173
Klasifikimi i skuadrave është:
- Mercedes: 538 pikë
- Ferrari: 460
- Red Bull: 319
- Renault: 92
- Haas: 84