FIFA miraton kalimin në 48 ekipe për Botërorin 2026, por ka kundërshtime

FIFA miratoi të martën kalimin në 48 ekipe të Kampionatit Botëror të Futbollit 2026, por menjëherë janë ngritur zërat kundërshtues...

FIFA miraton kalimin në 48 ekipe për Botërorin 2026, por ka kundërshtime

FIFA miratoi të martën njëzëri kalimin në 48 ekipe të Kupës së Botës 2026 me një fazë të parë prej 16 grupesh me 3 ekipe, njoftoi institucioni në llogarinë e tij “Twitter”.

Këshilli i FIFA-s, qeveria e futbollit botëror, miratoi kështu propozimin e mbrojtur nga presidenti Gianni Infantino, sipas të cilit do të rrisë interesin sportiv të Botërorit, por edhe të ardhurat financiare.

Por kundërshtimet ndaj FIFA-s në lidhje me këtë çështje nuk kanë vonuar.

Në krye të reagimeve opozitare është renditur Shoqata Evropiane e Klubeve (ECA), e cila deklaroi se nuk e shohin aspak të dobishëm këtë vendim, ndërkohë që ka ende 9 vite përpara organizimit të Botërorit 2026.

“Kuptohet që ky vendim nuk është marrë për arsye sportive, por si pasojë e presioneve politike”, thuhet në një komunikatë të ECA-s.

Mes zërave kritikë për shtimin e ekipeve në Kampionatin Botëror të Futbollit është edhe ai i presidentit të Ligës së Spanjës, Javier Tebas.

“Infantino po sillet ashtu si dhe Blatter, paraardhësi i tij”, ka qenë deklarata e Tebas në faqet e “L’Equipe”.

Sipas kreut të La Ligas, FIFA dhe Gianni Infantino kanë bërë politikë.

“Për të qenë i qartë, ka premtuar më shumë vende për në Kupën e Botës dhe kërkon që të jetë i qetë me premtimet e tija elektorale”, ka theksuar ai.

Tebas kujtoi se “industria e futbollit është meritë e gjithë klubeve të angazhuara dhe jo falë FIFA-s, e cila, përkundrazi, bën politikë dhe sport”.



Lajme të ngjashme