Maqedoni - Naumosk gati të ndihmojë basketbollin

Rrugëtimi i Petar Naumosku deri në zgjedhjen si kryetar i Federatës së Basketbollit të Maqedonisë.

Maqedoni - Naumosk gati të ndihmojë basketbollin

Ish-basketbollisti Petar Naumoski, gjatë karrierës së tij sportive në Turqi ka mundësuar që shumë të rinj ta duan basketbollin. Ai ka për qëllim të vazhdojë sukseset e tij edhe si kryetar i Federatës së Basketbollit të Maqedonisë.

Në një intervistë për agjencinë turke AA, ai tregoi rrugëtimin e tij si kryetar i Federatës së Basketbollit të Maqedonisë. Naumoski tha se me përvojën që ka fituar, njerëzit, shtetet dhe mentalitetet të cilat i ka njohur në të kaluarën, dëshiron që të kontribuojë dhe të ndihmojë basketbollin në Maqedoni.

Naumoski tha se profesionalizmi dhe disponueshmëria e tij për të gjithë ka mundësuar të çlirojë zemrat e adhuruesve të basketbollit dhe popullit turk.

"Ndoshta edhe afërsia e mentaliteteve në Maqedoni dhe Turqi gjithashtu ka kontribuar në këtë. Mund të shtohet edhe suksesi i arritur në atë kohë të ketë kontribuar në formulën e suksesit dhe dashurisë së ndërsjellë", tha ai.

Naumoski thotë se kombëtarja turke e basketbollit dhe po ashtu Liga e Basketbollit në Turqi është zhvilluar shumë në krahasim me atë kohë në të cilën ka luajtur ai. Sipas tij, kjo së pari është për shkak të tregut, sepse tregu në Turqi është shumë i madh, dhe për këtë arsye Turqia edhe në aspektin financiar edhe në atë organizativ ka arritur suksese të mëdha.

Ai shtoi se suksesi i kombëtares së basketbollit të Maqedonisë në vitin 2011 në Kampionatin Evropian, i cili u mbajt në Lituani ishte i papritur, nuk ishte një sukses i planifikuar. Naumoski tha se në rast se suksesi mbetet dhe përparon edhe më shumë, atëherë sukseset e arritura janë më të vlefshme.

Duke iu referuar suksesit të ekipit turk “Fenerbahçe Ülker" në Evropë dhe në ligën turke, ish-basketbollisti tha: "Normalisht Fenerbahçe mund të fitojë Ligën e Evropës. Ashtu siç e dimë është një ndër ekipet e Final Four të vitit të kaluar. Një numër i madh i tifozëve e presin këtë prej atyre. Në ndeshjet e fundit ata treguan se janë të pamposhtur, i radhisin fitoret e tyre në arenën evropiane, por edhe në ligë".

Ai tha se ka nderin që ka marrë shtetësinë turke. "E pranova me një gëzim të madh. Por për shkak të ligjeve në Turqi më duhej ta ndërroj emrin. Së paku tre muajt e parë. Isha i emëruar nga menaxherët e klubit, të cilët kushtuan vëmendje që inicialet të jenë të njëjta, P.N. Polat Namik", tha ai.

Naumoski u shpreh se nuk ka marrë ftesë që të luajë në Kombëtaren turke të basketbollit. Ai rikujtoi rregullin e Federatës Ndërkombëtare të Basketbollit (FIBA), ku një person, i cili ka luajtur në një kombëtare mund të luaj për tjetër në rast se më së paku 3 vite nuk luan për ndonjë kombëtare.

"Harun Erdenay ishte kundërshtari im në periudhën kur luanim basketboll. Ai ishte duke luajtur për Ulker, ndërsa unë për Efes. Por interesat tona kundërshtare ishin të vlefshme vetëm gjatë ndeshjeve, jashtë sallës së basketbollit kemi pasur një miqësi të mrekullueshme. Gjithashtu ndjej lumturi sepse ai e kryen të njëjtën detyrë në Turqi, siç jam unë këtu. Duhet të tregoj se kemi një bashkëpunim të shkëlqyeshëm", tha Naumoski duke treguar se janë miq të mirë me kryetarin e Federatës së Basketbollit të Turqisë, Harun Erdenay.

Ai gjithashtu foli edhe për shkollën e ish-Jugosllavisë nga e cila kishte mësuar shumë mbi basketbollin. "Kualiteti i ardhur nga hapësirat e ish-Jugosllavisë, nuk ka kontribuar vetëm në Turqi, në Evropë por edhe në NBA. Kështu që në të ardhmen këto cilësi do të përfaqësohen nga rajoni ynë. Besoj se edhe basketbolli turk është në këtë drejtim. I dëshiroj sukses edhe Pero Antiç-it, i cili luan në Fenerbahçe. Atje kam shumë miq", tha Naumoski.

"Përshëndetje shikuesve të basketbollit në Turqi. Më ka marrë malli për ju. Shpresoj që në ndonjë kupë në të ardhmen do të jemi të suksesshëm", tha Naumoski duke i dërguar një mesazh adhuruesve të basketbollit në Turqi.

- Kush është Petar Naumoski?

Petar Naumoski ka lindur në vitin 1968 në Prilep të Maqedonisë. Ai arriti suksese të mëdha në periudhën kur luajti basketboll në Turqi dhe Itali.

Naumoski, i cili gjatë karrierës së tij luajti për ekipet e basketbollit si Split, Rabotniçki, Efes Pilsen, Benetton Treviso, Montepaschi Siena, Olimpia Milano dhe Ulkerspor, shënoi suksese të mëdha, siç është kampionati dhe kupa e Jugosllavisë, kampionati dhe kupa e Turqisë, kampionati i Evropës, Kampionati i Koraç-it.

Naumoski në prill të vitit të kaluar ishte zgjedhur kryetari Federatës së Basketbollit të Maqedonisë.



Lajme të ngjashme