Liga e Kampioneve - Dramë për Juventusin, kualifikohen Bajern Mynihu e Barcelona

Bajern Mynihu ka kaluar në çerekfinale të Ligës së Kampioneve pas një ndeshjeje dramatike në “Allianz Arena” ndaj Juventusit, duke e mposhtur në 30 minutat e shtesës 4-2, pasi koha e rregullt ishte mbyllur në barazim 2-2, sa dhe në Torino.

Liga e Kampioneve - Dramë për Juventusin, kualifikohen Bajern Mynihu e Barcelona

Skuadra e Alegrit zhvilloi një pjesë të parë të shkëlqyer duke mos i lejuar në asnjë rast lojtarët e Bajernit të rrezikonin portën e Bufonit, ndërsa me anë të kundërsulmit arritën të shënojnë dy gola, në fillim Pogba dhe më pas Kuadrado.

Pjesa e parë u mbyll me avantazhin e Juventusit, ndërsa në 45 minutat e dyta ishte një histori krejt tjetër. Tashmë bavarezët treguan fytyrën e tyre të vërtetë, duke mos u dorëzuar deri në sekondën e fundit të ndeshjes. Lewandowski shkurtoi diferencën në minutën e 73-të dhe në minutat shtesë Myler barazoi rezultatin në 2-2.

Edhe ndeshja e parë mes dy ekipeve kishte përfunduar me të njëjtin rezultat, Tashmë nevojiteshin 30 minutat e shtesës për të vendosur ekipin e kualifikuar në çerekfinale.

Pas pësimit të dy golave, Juventusi dukej i dorëzuar. Alkantara shënoi në minutën e 108-të golin e tretë për Bajernin, ndërsa Koman, ish-lojtar i ekipit torinez, vulosi rezultatin në 4-2, në minutën e 110-të.

Ndërkohë, Barcelona nuk e pati të vështirë të gjunjëzojë edhe në ndeshjen e dytë Arsenalin. Nejmar, Suarez dhe në fund Mesi i dhanë fitoren 3-1 Barcelonës në “Camp Nou”. Për Arsenalin, autor i golit të vetëm ishte Elneni. Edhe në ndeshjen e parë në Londër ishte Barcelona që triumfoi 0-2.

Me Bajernin dhe Barcelonën të kualifikuar, të mërkurën u plotësuan edhe 8 ekipet çerekfinaliste të këtij sezoni në Ligën e Kampioneve.



Lajme të ngjashme