Trajneri i kombëtares shqiptare, Gianni De Biasi, fiton çmimin “Pankina e Artë”

Trajneri i kombëtares shqiptare të futbollit, Gianni De Biasi, ka fituar të hënën çmimin prestigjioz "Panchina D’oro 2016" (Pankina e Artë), si një vlerësim i lartë që i bëhet atij nga Federata Italiane e Futbollit (FIGC).

Trajneri i kombëtares shqiptare, Gianni De Biasi, fiton çmimin “Pankina e Artë”

Në ceremoninë e zhvilluar në Qendrën e Ekipeve Kombëtare të Italisë, në Koverçano (Firence), drejtuesit të pankinës shqiptare i është dorëzuar titulli me motivacionin "për përhapjen e vlerave të shkollës italiane të trajnerëve në botë".

Sikurse bëjnë të ditur burime nga Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF), ceremonia është organizuar nga Sektori Teknik i Federatës Italiane, që drejtohet nga Gianni Rivera dhe Shkolla e Trajnerëve Italianë, që drejtohet nga Renzo Uliveri. Trajneri i kombëtares kuqezi vlerësohet për arritjet e tij në krye të pankinës shqiptare, të cilën e drejton prej vitit 2011. Për 5 vjet me rradhë, ai bëri një punë të mirë me skuadrën kombëtare të Shqipërisë, duke krijuar një grup kompakt futbollistësh. Kjo punë kulmoi me arritjen e vendit të dytë në grupin eliminator të Kampionatit Evropian. Kualifikimi i Shqipërisë për në finalet e "Francë 2016", ka tërhequr vëmendjen e mediave dhe specialistëve italianë, evropianë dhe më gjerë. Ai është vlerësuar edhe si një kulm në karrierën e trajnerit italian dhe i punës së tij të palodhur.

Gianni de Biasi ka lindur në vititn 1956 në Sarmede, Trevizo. Si trajner, ai ka drejtuar Vasteze, Carpi, Cozenza, SPAL, Modena, Brescia, Torino, Udinese në Itali dhe Levante në Spanjë. Shqipëria ka qenë ekperienca e tij e parë me skuadra kombëtare, e cila rezultoi shumë e suksesshme.



Lajme të ngjashme