De Biasi: Nuk më tremb Serbia, në fushë jemi më të mirët !

Nuk më tremb Serbia, në fushë do të jenë më të mirët. Këto kanë qenë fjalët e para të teknikut Xhani De Biasi në prag të grumbullimit të kuqezinjëve për ndeshjen e radhës në grupin I, të eliminatoreve të Evropianit “Francë 2016”.

De Biasi: Nuk më tremb Serbia, në fushë jemi më të mirët !

Përballë do të jetë Serbia dhe kuqezinjtë nuk kanë harruar ende “plagët” e marra në Beograd, të cilat sollën ndërprerjen e lojës në minutën e 42’ dhe më pas kalvarin e drejtësisë sportive, që në fund i dha të drejtë palës shqiptare.

“Nuk e na intereson e shkuara. Duam të luajmë një ndeshje futbolli. Ftoj tifozët të jenë sportive dhe të tregojnë mbështetjen e tyre për kombëtaren tonë brenda kuadrit sportive”, tha De Biasi. Ai theksoi se Serbia është një ekip i mirë, por nuk trembet nga kjo gjë. “Serbia ka qenë gjithnjë një skuadër me shumë kualitet. Në ndeshjen e parë, edhe pse ishim të rrethuar nga tifozët Serbë arritëm të dalim në lojën tonë dhe të impostonim manovrën sulmuese. Tashmë me tifozerinë tonë do kemi edhe më shumë forcë për ta bërë këtë”, tha tekniku Italian.

Strategu De Biasi vijoi duke nënvizuar se në fushë do të jenë lojtarët në gjendje më të mirë fizike. “Kam grumbulluar 26-lojtarë me qëllim që të vlerësojë gjendjen e gjithsecilit. Jam shumë i entuziasmuar nga ecuria e disa prej lojtarëve, teksa duhet të kuptojë gjendjen e disa të tjerëve. Kemi pesë ditë kohë dhe do përgatitemi në mënyrën më të mirë. Nuk dua të flas për asnjë lojtar në veçanti, do t’ju informoj në momentin e duhur. Të gjithë lojtarët që do jenë në fushë nuk duhet të harrojnë 2 minutat e fundit të lojës (duke iu referuar golit të shënuar nga Portugalia në minutën e fundit të lojës, për shkak të shpërqendrimit të tanëve)”, vijoi De Biasi.

Tekniku Italian tha se kuqezinjtë e kanë në dorë vetë fatin e tyre. “Kemi edhe dy ndeshje dhe kualifikim në finalet e evropianit të vitit të ardhshëm është në duart tona, pasi në rast se i fitojmë të dyja takimet, atëherë nuk kemi nevojë të shohim rezultatin e Danimarkës me Portugalinë”, përfundoi De Biasi.

Shqipëria është ne vendin e tretë të grupit I, 1 pikë më pak se Danimarka. Kuqezinjtë kanë ende dy ndeshje për të luajtur. Të enjten ndaj Serbisë dhe më tej ndaj Armenisë në fushën kundërshtare. Danimarka nga krahu tjetër do luaj ndaj Portugalisë, në një ndeshje ku iberikët kërkojnë të konfirmojnë lidershipin në grup.

Ndeshja mes Shqipërisë dhe Serbisë do të luhet të enjten në mbrëmje, 20:45’ në “Elbasan Arena”.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme