Armand Duka: Kam besim se CAS-i do t’i japë fitoren Shqipërisë

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, deklaroi se ka besim që Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS) do t’i japë fitoren në tavolinë Shqipërisë, pasi ndeshja në Beograd u ndërpre për shkak të dhunës ndaj lojtarëve shqiptarë.

Armand Duka: Kam besim se CAS-i do t’i japë fitoren Shqipërisë

Në një intervistë me Zërin e Amerikës nga Lozana, Zvicër, ku po zhvillohet procesi gjyqësor në CAS lidhur me ngjarjet e ndodhura në Beograd gjatë përballjes Serbi-Shqipëri, kreu i FSHF-së tha se përgjigjja përfundimtare e Gjykatës mund të vonojë edhe një muaj.

Sipas Dukës, Shqipëria ka besim se CAS-i do t’i japë fitoren në tavolinë Shqipërisë, pasi ndeshja në Beograd u ndërpre për shkak të dhunës ndaj lojtarëve shqiptarë dhe se skuadra kuqezi nuk ka refuzuar të kthehet në fushë.

Shefi i FSHF-­së theksoi se ndeshja nuk mund të luhej në kushte të papërshtatshme dhe nuk pati asnjë urdhër për ta vijuar atë.

I pyetur mbi kërkesën zyrtare të Shqipërisë dhe provat mbi të cilat e ka mbështetur atë, Duka tha se Shqipëria duhet të marrë atë ndeshje në tavolinë, sepse ndeshja nuk është ndërprerë për arsye të ekipit shqiptar, por të dhunës dhe racizmit të shprehur nga huliganë dhe tifozë në stadium.

“Pra ndeshja të përfundojë me rezultat për Shqipërinë 3-­0 dhe të hiqet masa e gjobës, pasi është federata serbe përgjegjëse për realizimin e ndeshjes”, deklaroi Duka.

Lidhur me seancën e të premtes të zhvilluar në Lozanë, Duka tha se seanca dëgjimore në Lozanë nisi me dëgjimin e dëshmitarëve të paraqitur nga FSHF-ja dhe nga pala serbe. Sipas tij janë dëgjuar të gjithë dëshmitarët, kapiteni i ekipit shqiptar Lorik Cana, kapiteni i ekipit serb dhe një zyrtar i drejtorisë së policisë së stadiumit të Beogradit. “Trupi gjykues do marrë kohën e vet për vendim”, u shpreh Duka.

Duke iu përgjigur pyetjes sesa gjasa ka që kërkesa e Shqipërisë të njihet dhe a ka precedent të mëparshëm kjo gjykatë të rrëzimit të kësaj lloj kërkese, Duka shprehu bindjen se Shqipëria ka plotësisht të drejtë.

“Mendojë se kemi 100 % të drejtë. S’jemi shkaktarë, s’kemi refuzuar të hyjmë në fushë, skuadra shqiptare është dhunuar jo vetëm nga tifozët serb. E ka pasur të pamundur të kthehet në fushë, s’ka pasur urdhër për t’u kthyer. Kjo është një lojë, që luhet në kushte të barabarta, por jo absolutisht të papërshtatshme. Ishte e pamundur që ajo ndeshje të luhej”, deklaroi Armand Duka.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme