Liga e Kampioneve - Reali, kualifikim me humbje në "Bernabeu"

Reali Madridi është kualifikuar në çerekfinalen e Ligës së Kampionëve, por jo me kokën lart, pasi u mposht me rezultatin 3-4 nga Schalke përpara tifozëve në "Santiago Bernabeu".

Liga e Kampioneve - Reali, kualifikim me humbje në "Bernabeu"

Ndeshja e parë, e zhvilluar në Gjermani, përfundoi me fitore prej 2-0 të "Los Blancos" dhe pas ndeshjes kthyese kampionia në fuqi vazhdon në çerekfinale me rezultat të përgjithshëm 5-4.

Ishte një fillim i furishëm i takimit me një angazhim mahnitës të skuadrës mysafire, e cila arriti e para deri te goli. Christian Fuchs realizoi pas harkimit të Barnettas (20’).

Megjithatë shumë shpejt erdhi reagimi i spanjollëve. Kroos harkoi nga këndi, ndërsa Cristiano Ronaldo shënoi me kokë (25’).

Pas golit të barazimit, loja u qetësua, por gjermanët e Schalke 04 filluan të rrezikojnë sërish dhe pas disa shanseve dhe goditjes së shtyllës, Klaas-Jan Huntelaar realizoi (40’).

Por Ronaldo arriti ta barazojë sërish takimin (45’). Coentrao harkoi nga e majta, ndërsa Ronaldo shënoi golin e dytë me kokë.

Spektakli vazhdoi edhe në pjesën e dytë të sfidës. Karim Benzema krijoi hapësirë dhe i kaloi vendasit në epërsi për herë të parë këtë mbrëmje (53’).

Por, një gol fantastik nga debutuesi në garën evropiane, Leroy Sane, e solli sërish takimin në baraspeshë (57’).

Drama u shtua akoma më shumë në minutat e fundit kur Klaas Jan Huntelaar realizoi golin e fitores për ekipin gjerman (84’).

Sidoqoftë, përkundër presionit dhe rasteve, Schalke nuk arriti ta shënonte golin që i dërgonte në çerekfinale dhe në këtë mënyrë u eliminua nga Liga e Kampioneve.

Real Madridi vazhdon të shpresojë për atë që nuk e ka bërë askush deri më tani – ta fitojë dy herë radhazi Ligën e Kampionëve.

Ndërsa në takimin tjetër, skuadra e Portos është kualifikuar në çerekfinale të Ligës së Kampionëve pasi ka mposhtur me rezultat përfundimtar prej 5-1 skuadrën e Baselit, ku u paraqitën futbollistët shqiptarë, Shkëlzen Gashi e Taulant Xhaka.

Porto shtoi presionin mbi Baselin që në fillim të ndeshjes dhe golin e epërsisë e arriti përmes Yacine Brahimit i cili shënoi një super-gol nga gjuajtja e lirë(14’).

Pas golit të Brahimit, Porto mori kontrollin e lojës në tërësi dhe goditjet e Casemiros e Vincent Aboubakar për pak sa nuk përfunduan në rrjetën e Baselit.

Teksa fundi i pjesës së parë po afrohej, Shkelzen Gashi pati një gjysmë-rast për t’u bërë protagonist, mirëpo goditja e tij përfundoi jashtë portës.

Në pjesën e dytë, Porto shënoi edhe tre gola tjerë, e secili prej tyre ishte më i bukur se tjetri. Fillimisht Hector Herrera shënoi në minutën e 47-të, pasi pranoi një asistim të Brahimit. Pastaj, në minutën e 56-të, Casemiro shënoi një super-gol nga gjuajtja e lirë prej 28 metrave distancë.

Ndërsa, për rezultatin përfundimtar të takimit prej 4-0 u përkujdes Aboubakar, i cili shënoi po ashtu një gol të bukur nga 20 metra distancë.

Me këtë fitore, Porto kualifikohet në raundin tjetër të Ligës së Kampionëve me rezultat përfundimtar nga të dy ndeshjet 5-1.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme