Futboll - Bylykbashi rikthehet tek Partizani dhe kërkon titullin

Mesfushori elbasanas me tipare sulmuese, Dorian Bylykbashi, është rikthyer tek Partizani pasi ka luajtur për 4 sezone në skuadrën e vendlindjes.

Futboll - Bylykbashi rikthehet tek Partizani dhe kërkon titullin

Gjatë konferencës për shtyp për gazetarët, në të cilën është prezantuar edhe blerja më e re e skuadrës së Partizanit, Dorian Bylykbashi, janë prezantuar edhe ambicjet e skuadrës së “Demave të Kuq”, si dhe të priturat e trajnerit Shpëtim Duro nga lojtarët, ashtu si edhe ambicjet, që vetë lojtaret kanë për vazhdimin e sezonit.

“Rikthimi i Bylykbashit te Partizani ishte ideja ime”, e ka nisur fjalën e prezantimit të lojtarit më të ri të ekipit, trajneri Shpëtim Duro, duke vijuar se “ky lojtar nuk ka nevojë për shumë koment, pasi njihet mjaft mirë nga i gjithë opinioni sportiv”.

“Karrierën si sportist e ka shumë të pasur, kujtojmë performancën e shkëlqyer ne Ukrainë dhe formën e mirë, që po kalon aktualisht”, është shprehur trajneri i skuadrës së Partizanit, Shpëtim Duro, gjatë konferencës për shtyp.

“Mendoj që me cilësitë, që ka, do jetë një kontribut i vlefshëm për ekipin”, ka vijuar Duro në fjalën e tij, duke shtuar se “aktivizimi i tij sigurisht mund të jetë së bashku me Nexhipin, por normalisht që do të ketë alternime, kjo është për t’u parë”.

“Me këto dy blerje me siguri mund të them që merkatoja jonë është e mbyllur. Kam ekip të fortë, ku lojtarët kanë treguar një formë të mirë”, ka përfunduar Duro.

Nga ana e tij, Bylykbashi është shprehur me këto fjalë: “Te Partizani jam rritur dhe kam shumë kujtime të bukura. Djemtë e skuadrës janë të gjithë të rinj, por pritja ka qënë mjaft e ngrohtë dhe këtu dua të falënderoj shumë presidentin Demi, trajnerin Duro, drejtor Starovën dhe të gjithë stafin dhe tifozët që më kanë përkrahur. Synimi im i bashkëngjitet synimit të skuadrës për t’u shpallur kampion. Shpresoj të shënoj sa më shumë gola, por e sigurt është që do jap maksimumin tim. Rivali i vetëm, që kemi, është vetvetja”.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme