UEFA vendos sot për ndeshjen Shqipëri-Serbi

Komisioni i Apelit në UEFA pritet që sot të vendosë për ankesat e Federatës shqiptare të Futbollit (FSHF) dhe Federatës së Futbollit të Serbisë (FSS).

211219
UEFA vendos sot për ndeshjen Shqipëri-Serbi

Komisioni i Apelit pritet të vendosë për ankesat e FSHF-së dhe FSS-së lidhur me vendimet e marra nga Komisioni për Kontrollin, Etikën dhe Disiplinën i UEFA-s për ndeshjen e ndërprerë mes Serbisë e Shqipërisë.

Ndeshja nisi më 14 tetor në Beograd dhe u ndërpre në fund të pjesës së parë, pasi tifozët serbë sulmuan lojtarët e Shqipërisë në fushë.

UEFA, më 24 tetor, vendosi që ndeshja të regjistrohej me rezultat zyrtar 3-0 në favor të Serbisë, ndërsa FSHF-ja u dënua edhe me 100 mijë euro.

Serbisë iu hoqën tri pikë nga ky cikël eliminator, u dënua që dy ndeshje t’i luajë pa shikues dhe po ashtu u gjobit me 100 mijë euro. UEFA ka vlerësuar se Shqipëria refuzoi të kthehet në fushën e lojës dhe për këtë ka regjistruar ndeshjen me rezultatin zyrtar në të mirë të Serbisë.

Me vendimin e 24 tetorit kanë mbetur të pakënaqura të dyja palët që kanë paraqitur ankesa dhe që do të shqyrtohen sot nga Komisioni i Apelit.

FSHF-ja më herët ka njoftuar se do të kërkojë ndryshimin e vendimit të parë dhe se do të përfaqësohet nga tri studio ligjore në mbledhjen e Komisionit të Apelit të UEFA-s.

Pritet që FSHF-ja të kërkojë regjistrimin e ndeshjes me rezultat zyrtar në të mirë të Shqipërisë. FSHF-ja ka thënë më herët se çështjen do ta çojë edhe në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv, nëse nuk mbetet e kënaqur nga vendimi i Komisionit të Apelit.

Kurse, drejtuesit e futbollit serbë kanë kërkuar që ndeshja të zhvillohet sërish, por kësaj radhe pa pranin e publikut.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme