Kosova dhe Rumania zhvilluan ndeshjen për EURO 2018 në hendboll

Kjo është ndeshja e parë ndërkombëtare zyrtare që bëhet në Kosovë në kuadër të kualifikimeve për EURO 2018.

Kosova dhe Rumania zhvilluan ndeshjen për EURO 2018 në hendboll

Kombëtarja kosovare e hendbollit zhvilloi ndeshjen e kthimit me kombëtaren e Rumanisë, në Prishtinë, ndeshje e cila u fitua nga rumunët me rezultatin 16-30.

“Kjo është ndeshja e parë ndërkombëtare zyrtare që bëhet në Kosovë në kuadër të kualifikimeve për EURO 2018 dhe unë ju ftoj të gjithëve t’i japim mbështetjen maksimale djemve tanë gjatë kësaj loje”, është shprehur më herët në Facebook kryeministri Hashim Thaçi, duke i uruar mbarësi ekipit kosovar.

“Sporti luan një rol të pazëvendësueshëm si urë komunikimi dhe si eliminues i paragjykimeve. Prandaj shpresoj që kjo ndeshje të shërbej edhe si simbol i mirëkuptimit mes popullit tonë dhe atij të Rumanisë dhe t’i paraprijë një njohje sa më të shpejtë nga ky shtet fqinj i realitetit të Kosovës së lirë dhe të pavarur”, thekson Thaçi.

Përfaqësuesja e Kosovës në hendboll (meshkuj), ka humbur ndeshjen e parë eliminatore për “Euro 2018″, me rezultatin 36:24. Hendbollistët kosovarë janë mposhtur të mërkurën në mbrëmje në Bukuresht, nga Rumania vendase.

Kjo ishte ndeshja e parë zyrtare në histori e Përfaqësueses së Kosovës, pasi Federata e Hendbollit ka vetëm pak javë që është pranuar me të drejta të plota në Federatën Evropiane dhe atë Ndërkombëtare. Deri tani, Kosova përfaqësohej vetëm në nivel të klubeve, pa ndonjë sukses të madh.

Kosova bën pjesë në Grupin C të fazës paraeliminatore, ku është edhe Italia, me të cilën do të luajë në pranverë.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme