FSHF: UEFA i jep Serbisë fitoren 3-0 në tavolinë

Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Ilir Shulku, ka deklaruar sot se UEFA i ka dhënë fitoren në tavolinë Serbisë me rezultatin 3-0.

169162
FSHF: UEFA i jep Serbisë fitoren 3-0 në tavolinë

Shulku e dha këtë deklaratë në një konferencë për shtyp në selinë e FSHF-së, duke shtuar se Federata Shqiptare e Futbollit është gjobitur gjithashtu me 100 mijë euro.

Në vendimin e shpallur mëngjesin e sotëm, UEFA nga ana tjetër i ka hequr 3 pikë Serbisë dhe e ka dënuar këtë kombëtare me dy ndeshje pa tifozë.

Më tej, në vendimin e saj organizmi ndërkombëtar i futbollit ka vendosur gjobitjen e të dyja federatave të futbollit me nga 100 mijë euro.

FSHF: Apelojmë, lufta juridike do të vazhdojë

Federata Shqiptare e Futbollit njofton se do të apelojë vendimin e dhënë mëngjesin e të premtes nga Komisioni i Disiplinës në UEFA, i cili penalizoi Shqipërinë duke i dhënë fitoren në tavolinë kombëtares së Serbisë.

Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku bëri publik vendimin, duke shpjeguar se nuk ka ende një argumentim të Komisionit Disiplinor lidhur me të.

Ndërkohë, Artan Hajdari, përfaqësuesi ligjor i Federatës Shqiptare të Futbollit, u shpreh se vendimi i dhënë është i cuditshëm, por megjithatë pala shqiptare do të nisë procedurat për apelimin e tij.

"Ne kemi të drejtë të kërkojmë brenda 5 ditëve argumentet se përse është dhënë ky vendim dhe 3 ditë afat për të bërë ankimimin e tij. Lufta juridike do të vazhdojë dhe ne shpresojmë që drejtësia do të vendoset në vend", u shpreh Hajdari.

Sipas tij, penalizimi kryesor për Shqipërinë është fakti që ekipi kombëtar ka refuzuar vazhdimin e ndeshjes në situatën e krijuar.

Pamjet e dhunës në stadiumin "Partizani" të Beogradit, gjatë sfidës Serbi-Shqipëri, bënë xhiron e botës. Dhunimi verbal filloi që prej futjes në fushë të kombëtares shqiptare, ku fuqishëm dëgjoheshin thirrjet rraciste "Vritini shqiptarët", vijoi me hedhjen e fishekzarrjeve dhe u finalizua me zbritjen në fushë të dronit që valëviste flamurin me hartën e Shqipërisë së Madhe me mbishkrimin "Autoctonus", ku dhjetëra tifozë sulmuan fizikisht djemtë e kombëtares. Keta te fundit deklaruan se pësuan dhunë fizike edhe nga forcat e sigurisë brenda ambienteve të stadiumit.

Pala shqiptare, e përfaqësuar nga një studio zvicerane, u paraqit në Komisionin Disiplinor të UEFA-s me kërkesën e 3 pikëve në tavolinë dhe duke akuzuar palën serbe për racizëm.

De Biasi: Vendimi i UEFA-s, i padrejtë

Trajneri i kombëtares shqiptare të futbollit, Gianni de Biasi, është shprehu i irrituar nga vendimi i Komisionit Disiplinor të UEFA-s, i cili i dha Serbisë fitoren 3 me 0 në tavolinë për ndeshjen e 14 tetorit, e cila u ndërpre në minutën e 42 nga dhuna.

Sipas tij, vendimi i UEFA-s nuk na jep drejtësi, pasi Shqipëria në atë fushë u godit dhe u dhunua.

"Jam i zhgënjyer për një gjykim, që nuk na japin drejtësi! Unë e kuptoj Komitetin, por unë mendoj se është e vështirë për ne që të pranojë një vendim, të cilin ne jemi mposhtur në të gjitha frontet! Ne kanë marrë atë, qe e kemi fituar në fushë! Çfarë duhet të ndodhë më?", është shprehur tekniku italian i Shqipërisë.

Rama: Sot nuk u bë drejtësi

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka reaguar në rrjetin social në lidhje me vendimin e UEFA-s për ndeshjen Serbi-Shqipëri, duke e konsideruar atë një vendim të pa drejtë. Njëherazi, Rama i kërkon FSHF-së të hap betejën gjyqësore.

“FSHF bën shumë mirë të hapë betejë gjyqësore deri në fund! Sot nuk u bë drejtësi për atë që ndodhi në stadiumin e Beogradit”, shkruan Kryeministri Rama.

Braçe: Vendimi i UEFA-s, i neveritshëm

Deputeti i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Erion Braçe, e ka quajtur të turpshëm dhe të pritshëm vendimin e UEFA-s për dënimin e Shqipërisë, e cila luajti rreth një javë më parë me Serbinë.

"UEFA e Michel Platinisë vendosi që ne të humbim atë që se humbëm kurrë, ndeshjen e futbollit në Beograd", shkruan Erion Braçe në "Facebook".

"E neveritshme! E korruptuar dhe politike deri në zyrtarin e fundit e deri në gërmën e fundit! Siç e dinim dhe e prisnim; UEFA e Michel Platinisë vendosi që ne të humbim atë që se humbëm kurrë, ndeshjen e futbollit në Beograd! Deri në minutën e 41-të rezultati ishte i bardhë, zero me zero! UEFA vendosi që ne ta humbim sot! Ky është kulmi! Ndërkohë vendoset një standard i pashembullt për herë të parë në futboll: Ti duhet të luash një lojë edhe pse të sulmojnë, edhe pse të fyejnë, edhe pse duan të të therrin, edhe pse të qëllojnë me fishekzjarrë, shashka, gurë, shishe, edhe pse ata që në kor këndojnë “ti therrim” hyjnë në fushë, edhe pse ata të qëllojnë, të rrahin e të shkaktojnë dëmtime fizike, edhe pse policia dhe rojet e sigurisë të qëllojnë edhe ata! Por ky nuk është futboll! Futbolli nuk është detyrim dhe rrezik për jetën! Futbolli është sport, garë dhe pasion, luhet me dëshirë! Ky është huliganizmi i futbollit! Jam i bindur që nuk ka komb a rracë të neveritshme! Por njëra është ama; rraca e zyrtarëve të korruptuar që drejton kudo, edhe në futboll, edhe në nivelin më të lartë të saj atë evropian, në UEFA!", shkruan Braçe.

 

 


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme