Milani barazon 2-2 në fushën e Empolit, Inxagi kritikon mbrojtjen

Barazimi i Milanit ndaj Empolit pas 2 golave disavantazh nuk e ka kënaqur trajnerin kuqezi, Pipo Inxagi, pasi mbrojtja ka qenë e shpërqendruar në 30 minutat e para.

Milani barazon 2-2 në fushën e Empolit, Inxagi kritikon mbrojtjen

"S'mund të pësojmë gola të tillë, i kisha përgatitur më së miri situatat nga goditjet standarde, por kemi pësuar 2 gola nga dy shpërqendrime, të cilat na kanë kushtuar së tepërmi", ka thënë trajneri i Milanit, Pipo Inxagi.

"Megjithatë reagimi në pjesën e dytë ishte për t’u lavdëruar. Uroj që me këtë shpirt gare të mund të vazhdojmë të rritemi", shtoi ai.

"Duhet të marrim frutet e asaj që po bëjmë mirë në fazën avancuese, ndërsa kemi shumë për të përmirësuar në prapavijë. Të jesh ekipi me sulmin më të mirë në kampionat të bën të ndihesh mirë, sepse po shfaqim shumë dëshirë dhe lojë të bukur. Por duhet të kujtojmë gjithnjë se nga vijmë…”, theksoi më tej ish-sulmuesi i Milanit.

Inxagi shpjegon edhe arsyen e kalimit nga skema taktike 4-3-3 në 4-2-3-1, në momentin e aktivizimit të Bonaventurës kundër Empolit.

"Është një modul loje, që mund ta luajmë mirë me Fernando Torresin në fushë. Kemi shumë sulmues qendrorë e mund t’i përshtasim më së miri më këtë skemë. Fernando ka një dëshirë të madhe, fatkeqësisht pati një tërheqje muskulare, por sot (dje) luajti thuajse 90 minuta dhe ka shënuar një gol shumë të bukur, duke dhënë edhe asist. Jam i sigurt që do të na dhurojë momente të bukura", përfundoi Inxagi.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme