Kalendari historik, 15 dhjetor
Disa nga ngjarjet, njerëzit dhe datat më me ndikim në historinë turke dhe atë botërore që kanë shënuar ditën e sotme, 15 dhjetor.

15 dhjetor 1893 – U deshifruan dhe lexuan për herë të parë Përmendoret (Mbishkrimet) e Orhunit. Linguisti danez, Wilhelm Ludwig Thomsen, profesor në Universitetin e Kopenhagës, përmes një komunikate në adresë të Akademisë Mbretërore Daneze të Shkencave, njoftoi botën e shkencës se kishte deshifruar alfabetin gokturk dhe lexuar mbishkrimet në fjalë. Në anën lindore të stelës së Mbretit Bilgehan thuhet: “Bejlerë turq të Oguzit, dëgjojeni popullin! Për sa kohë që qielli nuk bie dhe toka nuk shembet, askush s'mund ta rrëzojë shtetin dhe t’i prishë ligjet tuaja!” | |
15 dhjetor 1989 – Një kryengritje popullore në Rumani, në ditën e parë të së cilës humbën jetën 105 veta, solli përmbysjen e regjimit komunist 42-vjeçar. Revolucioni filloi në qytetin Timishoara dhe u përhap me shpejtësi në të gjithë vendin. Ky ishte rrëzimi i regjimit të fundit komunist në një vend të Paktit të Varshavës gjatë ngjarjeve të vitit 1989 dhe e vetmja kryengritje që përmbysi me forcë një qeveri komuniste duke çuar në ekzekutimin me vdekje të udhëheqësit të saj, Nikolae Çaushesku dhe bashkëshortes së tij Elena, më 25 dhjetor. | |
15 dhjetor 1995 – Gjykata Evropiane e Drejtësisë shpalli vendimin lidhur me çështjen e ngritur nga futbollisti belg, Jean-Mark Bosman. Sipas vendimit që në botën e sportit njihet si “Rregullat e Bosmanit”, në kampionatet kombëtare të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian u hoq kufizimi i futbollistëve të huaj me kushtin që lojtari i transferuar të jetë shtetas i BE-së. Gjithnjë në bazë të vendimit në fjalë, futbollistët që përfundojnë kontratën janë të lirë të shkojnë në klubin që dëshirojnë, pa paguar tarifën e transferimit. |