Kalendari historik, 30 qershor

Disa nga ngjarjet, njerëzit dhe datat më me ndikim në historinë turke dhe atë botërore që kanë shënuar ditën e sotme, 30 qershor.

1445671
Kalendari historik, 30 qershor

 

30 qershor 1908 – Ndodhi shpërthimi i Tunguskës. Meteori që ra në një zonë pyjore në pjesën qendrore të Siberisë, shfarosi pyjet dhe gjallesat në një sipërfaqe rreth 2.000 km2. Drita në çastin e shpërthimit të meteorit, i cili pati një efekt dhjetëra herë më të fuqishëm sesa bomba atomike e hedhur në Hiroshimë, u pa nga një distancë prej 800 km. Valët sizmike u ndjenë edhe në Evropë.

30 qershor 1934 – Adolf Hitleri, i porsaemëruar në postin e Kancelarit të Gjermanisë, filloi një seri ekzekutimesh politike për eliminimin e kundërshtarëve brenda partisë së tij, në atë që njihet si “Nata e Thikave të Gjata” ose Operacioni “Kolibri”, për të marrë mbështetjen e ushtrisë dhe industrialistëve. Shumica e të vrarëve ishin anëtarë të trupave SA ose paramilitarëve këmishëmurrmë të Partisë Naziste. Hitleri iu kundërvu trupave SA dhe liderit të tyre Ernst Rohm, sepse ai e shihte pavarësinë dhe dëshirën e këtij grupi për dhunë si kërcënim direkt për pushtetin e tij politik të sapofituar.

30 qershor 1971 – Kozmonautët rusë Georgy Dobrovolsky, Viktor Patsayev dhe Vladislav Volkov, të cilët kishin qëndruar në hapësirë 22 ditë në bordin e anijes kozmike “Soyuz-11”, humbën jetën nga asfiksia për shkak të zbrazjes së ajrit në modulin e zbritjes gjatë kthimit në Tokë. Ky incident u shënua në histori si rasti i parë i vdekjes në hapësirë.

30 qershor 2004 – Presidenti i rrëzuar i Irakut, Saddam Hussein, i kapur pas pushtimit të vendit të tij nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 2003, si dhe 11 drejtues të lartë të regjimit Baathist, dolën për herë të parë përpara trupit gjykues. Në deklaratën e tij të parë, Saddam Husseini tha se kjo gjykatë nuk kishte kompetencë për ta gjykuar atë.



Lajme të ngjashme