“Emirates Airlines” pezullon fluturimet drejt SHBA-së për shkak të teknologjisë “5G”

“Emirates Airlines”, kompania ajrore kombëtare e Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA), njoftoi pezullimin e fluturimeve drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës për shkak të rreziqeve të mundshme të aktivizimit të teknologjisë “5G”.

1764885
“Emirates Airlines” pezullon fluturimet drejt SHBA-së për shkak të teknologjisë “5G”

“Për shkak të shqetësimeve operative në lidhje me aktivizimin e shërbimit celular «5G» në SHBA, është vendosur që fluturimet drejt këtij vendi të pezullohen duke filluar nga e mërkura (19 janar 2022)”, thuhet në një deklaratë me shkrim të publikuar në faqen e internetit të “Emirates Airlines”.

Deklarata e kompanisë ajrore të EBA-së thekson se fluturimet e pezulluara përfshijnë linjat me pikëmbërritje aeroportet e Bostonit, Çikagos, Fort-Uorthit në Dallas, Hustonit, Majamit, Nju-Jorkut, Orlandos, San-Franciskos dhe Siatëllit.

Gjigantët amerikanë të telefonisë “AT&T” dhe “Verizon” njoftuan më 4 janar shtyrjen e aktivizimit të teknologjisë “5G” për 2 javë, me kërkesë të Administratës Federale të Aviacionit (FAA).

Më 21 dhjetor 2021, Dave Calhoun dhe Jeffrey Knittel, respektivisht shefa ekzekutivë të “Boeing” dhe “Airbus”, prodhuesit më të mëdhenj të avionëve në botë, i dërguan një letër të nënshkruar bashkërisht sekretarit amerikan të Transportit, Pete Buttigieg, që të vonojë shpërndarjen e shërbimeve të reja telefonike “5G”.

Ata shprehën shqetësimin se teknologjia në fjalë mund të ketë “një impakt negativ të madh në industrinë e aviacionit” duke paralajmëruar se “interferenca «5G» mund të ndikojë negativisht në aftësinë e avionëve për të operuar në mënyrë të sigurt”.

“AT&T” dhe “Verizon” synonin të vinin në përdorim teknologjinë “5G” përmes Bandës-C duke filluar nga 5 janari 2022.

Në fillim të dhjetorit 2021, FAA-ja lëshoi ​​direktiva të vlefshmërisë ajrore duke paralajmëruar se interferenca “5G” mund të rezultojë në devijime fluturimi.

Kurse një muaj më herët, në nëntor, kompanitë amerikane të telefonisë “AT&T” dhe “Verizon” vonuan për herë të parë nisjen komerciale të shërbimit pa tel (wireless) nga Banda-C me një muaj deri më 5 janar dhe miratuan masa paraprake për të kufizuar interferencën.

Grupet e industrisë së aviacionit thonë se masat nuk janë të mjaftueshme, me “Boeing” dhe “Airbus” që kanë bërë një kundërpropozim që do të kufizonte transmetimet celulare rreth aeroporteve dhe zonave të tjera kritike.

Vlen të theksohet se shumica e telefonave në SHBA janë të pajtueshëm me teknologjinë “5G”, por konsumatorët nuk mund t'i përdorin këto veçori duke qenë se teknologjia në fjalë nuk është vënë ende në shërbim.



Lajme të ngjashme