BE-ja kërkon standardizimin e porteve të ngarkimit të pajisjeve elektronike

Komisioni i Bashkimit Evropian ka përgatitur një projektligj për të standardizuar portet e shumëllojshme të ngarkimit si “USB-C”, “Micro USB” dhe “Lightning” për pajisje të ndryshme elektronike.

1709841
BE-ja kërkon standardizimin e porteve të ngarkimit të pajisjeve elektronike

Sipas draftit në fjalë, të gjithë telefonat, tabletat dhe kufjet e tregtuara në shtetet anëtare të BE-së do të duhet të kenë një port të përbashkët ngarkimi.

Kompanitë prodhuese do të duhet të vendosin një port ngarkimi të tipit “USB-C” në pajisjet elektronike.

Për më tepër, do të harmonizohen edhe teknologjitë për ngarkimin e shpejtë të aparateve.

Rregullorja në fjalë do të mbulojë pajisje të tilla si telefonat inteligjentë, tabletat, kamerat digjitale, kufjet, altoparlantët portativë dhe stacionet portative të lojërave.

Propozimi synon të parandalojë konsumatorët të mbajnë një numër të madh kabllosh e ngarkuesit, si dhe të jenë në gjendje të përdorin një ngarkues të vetëm për produkte të ndryshme elektronike.

Ky rregullim, i cili gjithashtu synon të zvogëlojë mbetjet dhe dëmet mjedisore, do të marrë fuqi ligjore vetëm pasi të miratohet nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli Evropian.

Nëse hyn në fuqi, ky rregullim ligjor do të prekë veçanërisht kompaninë “Apple”. Ajo përdor një port ndryshe të quajtur “Lightning” në telefonat e saj inteligjentë, në disa tableta dhe kufje, ndërsa preferon tipin “USB-C” në kompjuterët portativë dhe pajisjet e saj “iPad”.



Lajme të ngjashme