Gjermani – “BioNTech” fillon prodhimin e vaksinave antiCOVID në fabrikën e re

“BioNTech”, një kompani bioteknologjike gjermane e themeluar nga një çift shkencëtarësh turq, njoftoi të mërkurën se ka filluar prodhimin e vaksinave në impiantin e saj të ri të prodhimit në qytetin Marburg të Gjermanisë.

1581167
Gjermani – “BioNTech” fillon prodhimin e vaksinave antiCOVID në fabrikën e re

“Ne filluam procesin e prodhimit në objektin tonë në Marburg të Hesses me ekzekutimin e hapit të parë: prodhimin e mRNA-së, e cila është përbërësi aktiv farmaceutik i vaksinës antiCOVID-19 të «Pfizer-BioNTech». Pas prodhimit fillestar të mARN-së, kjo e fundit pastrohet dhe përqendrohet, pastaj transferohet te partnerët e prodhimit, të cilët e paketojnë dhe sterilizojnë atë. Sidoqoftë, ky prodhim ende duhet të marrë dritën jeshile nga Agjencia Evropiane e Barnave (EMA), në shkurt dhe mars, përpara se të shpërndahet”, tha kompania farmaceutike gjermane në një deklaratë.

Pasi të jetë plotësisht funksionale, linja e re e prodhimit do të bëhet një nga impiantet më të mëdha prodhuese të mARN-së në Evropë, me një kapacitet prodhimi vjetor deri në 750 milionë doza të vaksinës antiCOVID-19.

Aktualisht, fabrika kryesore e prodhimit të vaksinave për klientët evropianë ndodhet në Puurs të Belgjikës.

“BioNTech”, e cila së bashku me kompaninë farmaceutike amerikane “Pfizer” zhvilluan vaksinën e parë të efektshme në botë kundër COVID-19, është përfshirë në përpjekje intensive për të përmbushur kërkesën në rritje në Evropë, pasi BE kohët e fundit porositi 300 milionë doza shtesë të vaksinës së koduar “BNT162b2”.

“«BioNTech» planifikon të jetë në gjendje të prodhojë deri në 250 milionë doza «BNT162b2» në gjysmën e parë të vitit 2021. Vaksinat e para të prodhuara në impiantin në Marburg janë planifikuar të shpërndahen në fillim të prillit”, shtoi kompania.

Prof. dr. Ugur Sahin, bashkëthemeluesi i “BioNTech” me bashkëshorten dr. Ozlem Tureci, tha muajin e kaluar se ata e kanë rritur objektivin e tyre të furnizimit nga 1,3 miliardë në 2 miliardë doza gjithsej deri në fund të këtij viti, në plan të prodhohen në 6 fabrika në vende të ndryshme të botës.

Vaksina antiCOVID e kompanisë “BioNTech” ka marrë përdorim emergjent ose autorizim të kushtëzuar të marketingut në më shumë se 45 shtete, përfshi këtu Mbretërinë e Bashkuar, Kanadanë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.



Lajme të ngjashme