Turqia nis fazën e testimit mbi njerëzit të 3 vaksinave kombëtare kundër COVID-19

Përpjekjet e Turqisë për të zhvilluar një vaksinë kombëtare kundër llojit të ri të koronavirusit (COVID-19) kanë hyrë në fazën e testimit tek njerëzit.

1502480
Turqia nis fazën e testimit mbi njerëzit të 3 vaksinave kombëtare kundër COVID-19

Ministri i Shëndetësisë, Fahrettin Koca, inspektoi laboratorin e kompanisë farmaceutike “Koçak Farma” në Kapakli të rrethit Tekirdag, ku vijojnë hulumtimet për zhvillimin e vaksinës kombëtare kundër COVID-19, si dhe mori informacione nga autoritetet shkencore mbi ecurinë e përpjekjeve në këtë drejtim.

Pas inspektimit në këtë laborator, ministri Koca realizoi një videotelefonatë me Presidentin Recep Tayyip Erdogan dhe e informoi atë në lidhje me zhvillimet.

Ai i tha kreut të shtetit turk se në 3 nga gjithsej 13 nismat për prodhimin e vaksinës kombëtare kundër llojit të ri të koronavirusit kanë përfunduar me sukses testimet mbi kafshë dhe tani ka nisur testimi tek njerëzit.

Ndërsa Presidenti Erdogan falënderoi të gjitha ekipet shkencore për arritjet e tyre në luftën kundër COVID-19.

“Ju përgëzojmë! Unë dua të shpreh mirënjohjen time të veçantë për të gjithë shkencëtarët tanë në emrin tim personal dhe të kombit tim. Shpresoj që t'i prodhojmë këto menjëherë dhe që me këtë prodhim të fillojmë procesin e vaksinimit të njerëzve. Kështu ne do të garantojmë të ardhmen tonë me këto vaksina, të cilat besojmë se do të reduktojnë seriozisht numrin e pacientëve tanë dhe do të jenë burim shëndeti”, u shpreh ai mes të tjerash.



Lajme të ngjashme