Rusia njofton zbulimin e vaksinës antiCOVID, bota shfaq rezerva

Nën kthetrat e pandemisë, bota e gjithë është fokusuar në hulumtimet e vaksinës kundër llojit të ri të koronavirusit.

1471752
Rusia njofton zbulimin e vaksinës antiCOVID, bota shfaq rezerva

Në mbi 200 studime shkencore, 24 prej tyre kanë kaluar fazën e provave klinike dhe po testohen te njerëzit.

Teksa studimet vazhdojnë me shpejtësi maksimale, Rusia njoftoi të martën regjistrimin e vaksinës që ka zhvilluar.

"Vaksina ka kaluar të gjitha provat", deklaroi Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin dhe shtoi se ajo është miratuar nga Ministria e Shëndetësisë.

Putini bëri me dije se njëra prej vajzave të tij është vaksinuar gjithashtu.

Ai theksoi se të bijës i ishte ngritur pak temperatura pas dozës së parë e të dytë të vaksinës, por më pas ishte normalizuar.

Rusia i dha vaksinës së saj emrin "Sputnik V", sipas satelitit të parë artificial në botë.

Vaksina do të aplikohet së pari tek punonjësit e shëndetësisë, mësuesit dhe grupet e tjera të rrezikuara.

Theksohet se më 12 gusht mund të fillojnë testet e fazës së tretë dhe në shtator prodhimi në seri. Është bërë e ditur se 20 vende kanë porositur gjithsej 1 miliard doza.

Kurse bota ka rezerva për vaksinën e zhvilluar nga Rusia.

Ajo kritikohet se vaksina është testuar mbi një numër të vogël njerëzish për një kohë të shkurtër dhe tërhiqet vëmendja se të dhënat mbi rezultatet e testeve nuk janë publikuar.

"Ne jemi në kontakt me autoritetet ruse", deklaroi Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Është potencuar se vaksina duhet t’i nënshtrohet një ekzaminimi rigoroz për të provuar sigurinë dhe demonstruar efektin e saj.

Gjithashtu është nënvizuar se vaksina ruse s'mund të prodhohet nga asnjë vend derisa të përfundojnë testet e fazës së dytë dhe asaj të tretë.

Ndërsa sekretari i Shëndetësisë së SHBA-së, Alex Azar, tha se një prodhim i efektshëm dhe i sigurt i vaksinës është shumë më i rëndësishëm sesa të gjesh vaksinën i pari.



Lajme të ngjashme