“Zynga” ble kompaninë turke të lojërave “Peak Games” për 1,8 miliardë dollarë

Kompania turke e lojërave, “Peak Games”, nënshkroi një marrëveshje kolosale prej 1,8 miliardë dollarësh për t'i shitur aksionet e saj gjigantit amerikan të argëtimit interaktiv, “Zynga”.

1427359
“Zynga” ble kompaninë turke të lojërave “Peak Games” për 1,8 miliardë dollarë

“Pika që ne kemi arritur sot, është burim krenarie për të gjithë Turqinë dhe ne të tërë e dimë që ky është vetëm fillimi. Në këtë rrugëtim që ne do të vazhdojmë me «Zynga», të gjithë jemi entuziastë që do të forcohemi e rritemi më shumë së bashku”, deklaroi të hënën themeluesi i “Peak Games”, Sidar Sahin, njëherësh drejtor ekzekutiv i kompanisë në fjalë.

Sahin tha gjithashtu se të dyja firmat ndajnë të njëjtin vizion për të mbledhur njerëz përmes lojërave.

Frank Gibeau, president i Bordit Ekzekutiv të “Zynga”, nga ana e tij i uroi “Peak Games” një mirëseardhje të përzemërt në gjirin e gjigantit amerikan duke shtuar se kjo është një krenari e madhe edhe për kompaninë e tij.

“Dihet që «Peak Games» është një prej zhvilluesve më të mirë në botë të lojërave me pazëll. Ne jemi shumë të emocionuar që do të çojmë edhe më përpara aftësitë tona me një skuadër kaq të përkushtuar dhe kreative. Me pjesëmarrje e «Toon Blast» dhe «Toy Blast», ne jo vetëm që ngremë në 8 numrin e lojërave tona që renditen në krye të listave, por njëherësh shtojmë në mënyrë tronditëse numrin e përdoruesve tanë globalë dhe përgatitemi për projektet e reja të së ardhmes. «Peak Games» dhe «Zynga» do të rriten shumë më vrullshëm së bashku”, theksoi Gibeau.

Kurse Omer Inonu, drejtor i Departamentit të Strategjisë së “Peak Games”, u shpreh plot krenari për këtë arritje.

“Në vetëm 10 vite kohë, ne nxorëm në pah nga Turqia një prej kolosëve të sektorit global të të lojërave mobile. Kjo është për t'u krenuar edhe në emër të «Peak Games», edhe në emër të vendit tonë”, tha Inonu duke sqaruar se kompanisë turke do t'i ndryshojë vetëm struktura e partneritetit, kurse ekipi zhvillues dhe stafi drejtues do t'i vazhdojnë aktivitetet e tyre pa asnjë ndryshim nën markën e vetë dhe si një firmë turke.

Një vlerësim në lidhje me këtë marrëveshje prej 1,8 miliardë dollarësh ndërmjet “Peak Games” dhe “Zynga” erdhi gjithashtu nga ministri i Industrisë dhe Teknologjisë, Mustafa Varank.

“Qoftë i hairit unikorni (njëbrirëshi) i parë turk, pra, «Turcorn». Ky është një zhvillim shumë i rëndësishëm në aspektin e ekosistemit sipërmarrës në Turqi”, shkroi ministri Varank në rrjetin social “Twitter”.



Lajme të ngjashme