Gjermani – “Daimler” gjobitet me 870 milionë për skandalin e emetimeve

Kompania gjermane e prodhimit të makinave, “Daimler”, është ndëshkuar të martën me një gjobë prej 870 milionë eurosh për skandalin e emetimeve të motorëve me naftë.

Gjermani – “Daimler” gjobitet me 870 milionë për skandalin e emetimeve

Prokuroria e Shtutgartit e akuzoi gjigantin e automjeteve luksoze për shkelje të përgjegjësive mbikëqyrëse në një sektor që merret me certifikatat e automjeteve.

“Kompania nuk do të apelojë gjobën. Pagesa do t’i bëhet shtetit federal të Baden-Vyrtembergut brenda 6 javësh”, theksoi Zyra për Shtyp e Prokurorisë së Shtutgartit.

“Daimler” është ndër prodhuesit e automobilave, të cilët janë akuzuar për manipulimin e sistemeve të shkarkimit duke bërë që emetimet të duken më të ulëta sesa janë në të vërtetë.

Prodhuesi gjerman i automjeteve luksoze është detyruar të tërheqë qindra-mijëra makina në të gjithë Evropën për t’u instaluar atyre një version të ri të programit të menaxhimit të motorit në automjetet me naftë “Mercedes-Benz”.

Më parë në Gjermani janë gjobitur me më shumë se 2 miliardë euro për skandalin e emetimeve të motorëve me naftë gjithashtu kompanitë “Volkswagen”, “Audi” dhe “Porsche”.



Lajme të ngjashme