DSEI – Industria turke e mbrojtjes zbarkon në Londër me 42 kompani

Nën udhëheqjen e Presidencës së Industrisë së Mbrojtjes së Turqisë (SSB), 42 kompani turke do të marrin pjesë këtë javë në Panairin Ndërkombëtar të Pajisjeve të Mbrojtjes dhe Sigurisë në Britaninë e Madhe (DSEI).

DSEI – Industria turke e mbrojtjes zbarkon në Londër me 42 kompani

Delegacioni turk, i cili udhëhiqet nga kreu i SSB-së – Ismail Demir, do të organizojë takime zyrtare me përfaqësuesit e vendeve të huaja gjatë panairit, i cili fillon të martën në Londër.

Ky panair 4-ditor mes datave 10-13 shtator, një nga ekzibicionet kryesore të industrisë së mbrojtjes në botë, do të ketë pjesëmarrje të nivelit të lartë nga industria e mbrojtjes dhe zyrtarët.

Bienali DSEI pritet të përfshijë mbi 1.600 sipërmarrje ndërkombëtare dhe të tërheqë 35.000 vizitorë nga më shumë se 50 vende.

Në edicionin e sivjetmë do të bëhet prezantimi, marketingu dhe shitja e produkteve e shërbimeve të kompanive të industrisë së mbrojtjes nga të katër anët e botës dhe sidomos nga Lindja e Mesme, Afrika, Azia dhe Amerika Latine.

Firmat turke do të prezantojnë në DSEI 2019 produktet e tyre të mbrojtjes, siç janë automjetet e blinduara, mjetet e ndryshme tokësore e ajrore me dhe pa pilot, sistemet detare, sistemet e armëve, pajisjet elektronike, municionet, simulatorët, produktet e tekstilit ushtarak dhe ato të mbështetjes logjistike.

Turqia ka disa kompani të rëndësishme që operojnë në industrinë e mbrojtjes, duke përfshirë 5 në mesin e 100 kompanive më të fuqishme të këtij sektori në botë, sipas revistës “Defense News” me seli në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sidomos vitet e fundit, kompanitë turke kanë ngjallur popullaritet në rritje me mjetet ajrore (dronë dhe helikopterë), anijet, automjetet e blinduara, pajisjet elektronike, armët dhe pjesët e armëve të prodhuara prej tyre.



Lajme të ngjashme