SHBA-ja vendos sanksione ndaj agjencive hapësinore të Iranit

Shtetet e Bashkuara të Amerikës vendosën sanksione të martën ndaj 3 kompanive iraniane të kërkimeve hapësinore me justifikimin se “luajnë rol në prodhimin e raketave balistike” të vendit.

SHBA-ja vendos sanksione ndaj agjencive hapësinore të Iranit

Sipas një komunikate të shkruar të Departamentit amerikan të Shtetit, sanksionet kanë në shënjestër Agjencinë Hapësinore të Iranit, Qendrën e Kërkimeve Hapësinore të Iranit dhe Institutin Iranian të Kërkimeve Astronautike.

“Departamenti i Shtetit përfshiu në listën e sanksioneve Agjencinë Hapësinore të Iranit dhe dy institute kërkimore për shkak të aktiviteteve të tyre të ndjeshme të përhapjes. Kjo është hera e parë që SHBA-ja imponon sanksione ndaj një agjencie hapësinore civile të Iranit për rolin e saj në ndërtimin e raketave balistike”, thuhet në komunikatë.

“SHBA-ja nuk do të lejojë që Irani të përdorë programin e tij hapësinor si maskë për të avancuar programet e tij për raketa balistike. Përpjekja iraniane për të lëshuar një mjet hapësinor më 29 gusht thekson urgjencën e kërcënimit”, theksoi Departamenti amerikan i Shtetit.

Ai paralajmëroi gjithashtu komunitetin shkencor ndërkombëtar se bashkëpunimi me programin hapësinor iranian “mund të kontribuojë në aftësinë e Teheranit për të zhvilluar një sistem të lëshimit të armëve bërthamore”.

Këto sanksione vijnë ndërkohë që Franca po përpiqet të ndërmjetësojë mes Iranit dhe SHBA-së për të ulur tensionet.



Lajme të ngjashme