Zelandë e Re – Zbulohet fosili i një pinguini gjigant

Shkencëtarët nga Zelanda e Re njoftuan të mërkurën zbulimin e fosilit të një pinguini me përmasa pothuajse sa të një njeriu, në ishullin jugor të vendit.

Zelandë e Re – Zbulohet fosili i një pinguini gjigant

“Ky zog ujor gjigant, i quajtur «crossvallia waiparensis», ishte 1,6 metra i gjatë dhe peshonte 80 kilogramë, përmasa këto që e bëjnë atë pinguinin më të gjatë dhe katër herë më të rëndë se pinguini perandorak aktual”, theksuan ata.

Ai jetonte në Paleocenë, 66 milionë vite më parë.

Kockat e njërës këmbë të këtij zogu gjigant u gjetën vitin e kaluar nga një gjahtar amator.

Ekzistenca e një specie të re u konfirmua këtë javë në një artikull të revistës “Alcheringa: An Australasian Journal of Palaeontology”.

“Ky është fosili i dytë i pinguinit gjigant të Paleocenit zbuluar në të njëjtën zonë”, nënvizoi Vanesa De Pietri, studiuese në Muzeun e Canterbury-t.

“Kjo riforcon teorinë tonë, sipas të cilës, pinguinët arrijnë përmasa të mëdha në fillim të evolucionit të tyre”, theksoi ajo.

Zelanda e Re është e njohur për zogjtë gjigantë, të zhdukur sot, si moa (Dinornis), që u zhduk në fund të shekullit XVIII, zogu më i madh që kishte ekzistuar ndonjëherë, i paaftë për të fluturuar, 3,60 metra i gjatë dhe rreth 200 kilogramë; ose shqiponja Haast rreth tre metra e gjerë.

Javën e kaluar, Muzeu i Canterbury-t njoftoi zbulimin në Zelandën e Re të fosilit të një papagalli gjigant që ishte rreth një metër i gjatë dhe peshonte shtatë kilogramë. Ai kishte jetuar 10 milionë vite më parë.



Lajme të ngjashme