SHBA – Videot e zbritjes historike të njeriut në Hënë shiten për 1,8 milionë dollarë

Pamjet e çastit kur njeriu vendosi për herë të parë këmbën mbi sipërfaqen e Hënës, të cilat NASA ia pati shitur gabimisht një stazhieri në vitin 1976 për 217 dollarë, u shitën të dielën me ankand për 1 milion e 820 mijë dollarë.

SHBA – Videot e zbritjes historike të njeriut në Hënë shiten për 1,8 milionë dollarë

“Regjistrimet më të mira të mbijetuara deri më sot në videokaseta të NASA-s për zbritjen në Hënë të misionit ‘Apollo 11’, u shitën për 1,8 milionë dollarë me ankand në sallën tonë në Nju-Jork”, bëri me dije shtëpia e ankandeve “Sotheby’s” përmes një postimi në rrjetin social “Twitter”.

Tri kasetat origjinale të ruajtura deri më sot përmbajnë në total 2 orë e 30 minuta filmime.

Krahas çastit që astronauti Neil Armstrong shkeli për herë të parë në sipërfaqen e Hënës, në pamjet e shitura me ankand është edhe fjalimi i presidentit të atëhershëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Richard Nixon. Videokasetat në fjalë i qenë shitur aksidentalisht në vitin 1976 për 217 dollarë z. Gary George, asokohe stazhier në Administratën Kombëtare të Aeronautikës dhe Hapësirës (NASA), së bashku me 65 kaseta të tjera.

George u kishte shitur më herët disa televizioneve lokale shumicën e regjistrimeve që kishte blerë nga NASA, por kishte ruajtur si sytë e ballit 3 kasetat në fjalë duke dëgjuar një këshillë të babait të tij.

Ai i kishte parë filmimet e sipërcituara vetëm pak kohë më parë, kur mësoi se NASA ishte në kërkim të këtyre kasetave me rastin e 50-vjetorit të zbritjes së njeriut në Hënë. Me të kuptuar se filmimet e shumëkërkuara ishin pjesë e koleksionit të tij, Gary George vendosi pa hezitim që t’i shesë ato me ankand.



Lajme të ngjashme