Inteligjenca artificiale, revolucionare të paktën sa elektriciteti dhe motori me avull

Sipas një artikulli të revistës “Science”, kompjuterët e aftë të mësojnë në mënyrë automatike, falë inteligjencës artificiale, do të transformojnë ekonominë dhe shoqërinë ashtu si kanë bërë në të kaluarën zbulimi i elektricitetit dhe motorit me avull...

Inteligjenca artificiale, revolucionare të paktën sa elektriciteti dhe motori me avull

Kompjuterët në gjendje të mësojnë në mënyrë automatike, falë inteligjencës artificiale, do të transformojnë ekonominë dhe shoqërinë ashtu si kanë bërë në të kaluarën zbulimi i elektricitetit dhe motorit me avull, shkruajnë për revistën “Science” ekonomisti i njohur, Erik Brynjolfsson nga Instituti i Teknologjisë në Masaçusets (MIT) dhe informaticieni Tom Mitchell, i Universitetit “Carnegie Mellon”, që pretendojnë se kjo teknologji e re jo vetëm që do ndihmojë njeriun, por mund edhe ta zëvendësojë atë.

“Ndonëse pasojat ekonomike të së mësuarit automatik janë ende relativisht të kufizuara, po ashtu edhe aftësitë e tyre, implikimet për ekonominë dhe fuqinë punëtore në të ardhmen do të jenë të thella. Do të jetë një ndryshim i vërtetë, por pozitiv”, theksojnë dy ekspertët.

Inteligjenca artificiale do të na zëvendësojë në disa punë, por do të krijohen punë të reja dhe shërbime të reja që ende nuk arrijmë t’i imagjinojmë.

Mbetet shumë e vështirë që të parashikosh se si do të evoluojë skenari dhe se cilët do të jenë fitimtarët dhe të mundurit.

Për të pasur një ide, mjafton të mendohet sistemi i inteligjencës artificiale i Universitetit të Stanfordit, që në muajt e kaluar, pasi kishte studiuar mijëra imazhe, ka treguar se mund të njohë tumorët e lëkurës me të njëjtën përpikmëri të dermatologëve më ekspertë.

Dy autorët e artikullit theksojnë se “kjo nuk do të thotë se mjekët i kanë orët e numëruara, përkundrazi, me teknologjitë e reja, dermatologët mund të përmirësojnë punën, duke fituar më shumë kohë për pacientët. Madje profesionet që kanë ndërveprime personale do të fitojnë më shumë vlerë, sepse nuk mund të automatizohen krejtësisht”. /ATSH



Lajme të ngjashme