Gjermani – “Mercedes-Benz” tërheq mbi 3 milionë makina me naftë në Evropë

Prodhuesi gjerman i makinave “Daimler”, i dyshuar për fshehje të ndotjes sikurse dhe grupi patriot “Volkswagen”, njoftoi të martën tërheqjen e më shumë se 3 milionë makinave me naftë të markës “Mercedes-Benz” në Evropë...

773578
Gjermani – “Mercedes-Benz” tërheq mbi 3 milionë makina me naftë në Evropë

Prodhuesi gjerman i makinave “Daimler”, i dyshuar për fshehje të ndotjes sikurse dhe grupi patriot “Volkswagen”, njoftoi të martën tërheqjen e më shumë se 3 milionë makinave me naftë të markës “Mercedes-Benz” në Evropë.

“Për të përmirësuar me efikasitet nivelin e emetimeve të gazit të shumë modeleve, ‘Daimler’ ka vendosur tashmë të tërheqë vullnetarisht më shumë se tre milionë automjete ‘Mercedes-Benz”, theksoi në një komunikatë “Daimler”.

Sipas medias gjermane, prodhuesi i makinave “Daimler” kishte manipuluar dy tipa motorësh, “OM 642” dhe “OM 651”, për t’i bërë të dukeshin më pak ndotës gjatë kontrolleve, në një nismë të ngjashme me “Volkswagen” dhe që mund të përfshijë 1 milion automjete.

“Kompania në Shtutgart, që prej një dekade, nga viti 2008 në 2016, kishte shitur në Evropë dhe SHBA automjete me një nivel emetimesh ndotjeje të lartë dhe të paautorizuar”, shkruante në artikullin e saj e përditshmja “Suddeutsche Zeitung”, që ka bashkëpunuar me stacionet rajonale “NDR” dhe “WDR”.

Dieter Zetsche, president i Bordit të Menaxhimit të “Daimler AG” dhe shef i “Mercedes-Benz Cars” që nga viti 2006 e këtej, njoftoi gjatë një daljeje publike të martën pas pretendimeve në fjalë se do të tërheqin mbi 3 milionë makina të normës Euro 5 dhe Euro 6 për të rritur besimin ndaj motorëve me naftë dhe për të zhvilluar vlerat e emisionit.

Ai njoftoi gjithashtu se tërheqja e këtyre automjeteve do të nisë javën e ardhshme dhe kostoja totale e operacionit në fjalë do të jetë rreth 220 milionë euro, ndërkohë që pronarëve të makinave nuk do t’u pasqyrohet asnjë lloj shpenzimi.

Si rezultat i matjeve të bëra nga Departamenti Federal i Mjeteve Motorike të Gjermanisë, “Mercedes-Benz” ishte detyruar edhe vitin e kaluar që të tërhiqte 247 mijë makina për shkak të vlerës së lartë të oksidit të azotit.



Lajme të ngjashme