Kina përgatit hartën e Hënës

Shkencëtarët kinezë planifikojnë të hartojnë një hartë të re të Hënës në shkallë 1:2,5 milionë.

645137
Kina përgatit hartën e Hënës

Ouyang Ziyuan, drejtori i Programit të Eksplorimit Hënor të Kinës ka thënë se pesë universitete dhe institute bashkërisht kanë caktuar standardet për hartën digjitale të strukturës gjeologjike të Hënës. Harta e cila do të jetë në përmasa 4,36 me 2,2 metra pritet të përfundojë në fund të vitit të ardhshëm dhe të lançohet në treg në vitin 2020.

Harta do të sigurojë informacione mbi sipërfaqen, strukturën dhe evolucionin kohor të Hënës. Çen Shengbo, gjeologu nga Universiteti i Jilin-it i cili bën pjesë në ekipin e punës, ka theksuar se përmes hartës do të mund të shihen qartazi shumë detaje gjeografike të sipërfaqes hënore, siç janë dimensioni i kratereve, pamja dhe struktura. Çen ka thënë se projekti do të realizohet duke përdorur imazhet e dërguara nga satelitët në orbitë.

“Përgatitja e hartës së Hënës është më e vështirë dhe kërkon më shumë përpikëri sesa përgatitja e hartës së Tokës, për arsye se shkencëtarët nuk mund të shkojnë në pika të caktuara të Hënës për të cilat nuk kanë informacione të sigurta”, ka vënë në pah Çen.

Kina po ashtu planifikon që brenda këtij vitit ta lançojë anijen kozmike Chang’e-5 në kuadër të programit hapësinor. Anija do të zbresë në sipërfaqen hënore dhe do të kthehet në Tokë pasi të ketë mbledhur mostra.

Në fund të vitit 2013, Kina kishte lançuar anijen kozmike Chang’e-3 e cila transportonte mjetin për eksplorim hënor Yutu. E gjatë 1,5 metër, Yutu ishte ndarë nga kapsula për të zbritur në sipërfaqen e Hënës dhe kishte dërguar imazhe në Tokë.

Kina është shteti i tretë pas SHBA-ve dhe Rusisë që ka dërguar mjet hapësinor në Hënë, ndërkohë që është shteti i vetëm i cili dërgon mjete hapësinore për hulumtim në Hënë që nga viti 1976.



Lajme të ngjashme