Përdorimi i tepërt i internetit dhe dëmet e tij

Përdorimi i internetit duket se është kthyer në një domosdoshmëri në ditët e sotme.

Përdorimi i tepërt i internetit dhe dëmet e tij

Përdorimi i internetit duket se është kthyer në një domosdoshmëri në ditët e sotme.

Ajo çka paraqitet shqetësuese është përdorimi pa sens mase i internetit nga të rinjtë e kryesisht fëmijët, të cilët janë më të rrezikuar.

Rreziqet më të mëdha që përmban interneti për fëmijët, sipas punonjësve socialë, janë pa dyshim aksesi në lojëra (video-game) të dhunshme, mundësia e të shikuarit fotot e filmimeve jo të përshtatshme për moshën, si dhe ajo e përdorimit të një fjalori jo qytetar, gjëra që normalisht gjenden pa kufi në faqet e internetit.

Në shoqëri qarkullojnë mendime të ndryshme mbi përdorimin e internetit, dikush e zhvlerëson faktin e varësisë nga internet, dikush tjetër e quan të parëndësishme, por përgjithësisht mbizotërojnë gjykime negative mbi përdorimin e tij. Sipas punonjësve social, interneti të bën të jesh i huaj ndaj mjedisit lokal, i bën të pasigurt kufijtë mes realitetit dhe prodhimit fantastik, favorizon qëndrimin pasiv, shpesh propozon modele të diskutueshme të sjelljes, është një nga shkaqet kryesore të varfërisë gjuhësore për të cilën mësuesit e gjuhës ankohen me të drejtë.

Përsa i përket studimeve të kryera për këtë çështje, është Organizata “World Vision Albania and Kosovo”, e cila ka kryer një studim në Shqipëri në periudhën vjetore 2013-2014, me temë “Siguria e Fëmijëve online”. Me një shtrirje gjeografike të studimit në disa qytete si Tiranë, Korçë, Shkodër, Peshkopi, Vlorë dhe Elbasan, studimi tregoi se fëmijët shqiptarë përdorin tri mënyra kryesore për të patur akses në internet.

Në 65% të rasteve aksesin në internet e sigurojnë nga aparatet celularë, të ndjekur nga PC-të me 59% dhe me 43% nga laptop- ët. Ndryshe nga kultura e vendeve të tjera, familjet shqiptare parapëlqejnë të mbajnë kompjuterët në dhomat e fëmijëve të tyre, duke e ulur kështu nivelin e kontrollit të konsumit të internetit. Studimi tregon se 47% e personave që kanë qenë objekt i studimit janë kontaktuar online nga persona të panjohur.

Sipas analizave të ekspertëve, shumë orë përpara kompjuterit ndikojnë keq në formimin e fëmijëve. I bëjnë të rriten në një botë të shkëputur nga realiteti, të varur nga kompjuteri, nga video lojërat dhe chati. Shumë studime kanë treguar se fëmijët duan më shumë lodrat dhe ajrin e pastër.

Në kuadër të garantimit të së drejtës së fëmijëve, për përdorimin e internetit në mënyrë të sigurt, aktorë ndërkombëtarë dhe lokalë në Shqipëri kanë ndërmarrë disa nisma dhe aktivitete ndërgjegjësuese. Një ndër këto aktivitete ka qenë edhe projekti i organizuar nga World Vision Albania i cili në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit ka përgatitur një paketë me CD interaktive, broshura dhe postera që u janë dhënë fëmijëve, prindërve dhe mësuesve, për 11 rajonet e Shqipërisë.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme