Medreseja e Shkodrës mbyll vitin shkollor

Medreseja e Shkodrës “Haxhi Sheh Shamia”, që sponsorizohet nga Shoqata Vëllazërore, Humanitare, Kulturore “Istanbul”, me anë të një aktiviteti arsimor dhe kulturor ka përmbyllur vitin shkollor 2014-2015.

Medreseja e Shkodrës mbyll vitin shkollor

Medreseja e Shkodrës “Haxhi Sheh Shamia”, medreseja e parë e hapur në Shqipëri në vitin 1991, pas rikthimit të lirisë së besimit e që sponsorizohet fuqishëm prej 16 vitesh nga Shoqata Vëllazërore, Humanitare, Kulturore “Istanbul” dhe me mbështetjen e enteve të tjera qeveritare të Turqisë si: TIKA etj, ka mbyllur vitin shkollor 2014-2015 me anë të një aktiviteti madhështor në diplomimin e maturantëve të cilët shumica prej tyre ndjekin studimet universitare në fakultete të ndryshme, në Turqi.

Në ceremoni, ku nuk munguan prezantimet e shumta të aktiviteteve të këtij institucioni, u vlerësuan më të mirët e talentuar në lëmi të ndryshme.

Aktiviteti i titulluar: “Të mësosh dituri është devotshmëri dhe të kërkosh dituri është adhurim”, mblodhi personalitete të qytetit, autoritete vendore dhe qendrore si dhe drejtues të Myftinisë Shkodër. Në këtë ceremoni merrnin pjesë edhe Këshilltari për Çështjet Fetare në Ambasadën e Republikës së Turqisë, në Tiranë, z. Shaban Ishlek si dhe Koordinatori i TIKA, Prof. Dr. Birol Çetin, i cili në fjalën e tij përshëndetëse tha:

“…Në periudhat e fundit kemi dhënë maksimalisht si TIKA kontributin tonë në rimëkëmbjen e medresesë dhe pa dyshim ky kontribut dhe mbështetje do të vazhdojë edhe në të ardhmen…Jam shumë i lumtur që gjendem sot në ceremoninë e diplomimit tuaj. Ju përgëzoj të gjithëve pa përjashtim…Ju këshilloj që të mos hiqni dorë asnjëherë nga qëllimet tuaja, pasi nga ky tempull i dijes, nga ky institucion diplomoheni me dy krahë, me shkencat e përgjithshme dhe me shkencat shpirtërore…Natyrisht në fluturimin tuaj mos harroni asnjëherë folezën tuaj…” -tha Pof.Dr. Birol Çetin, Koordinatori i Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) në Tiranë.

Ndërsa drejtori i përgjithshëm i dy medreseve, djem dhe vajza, z. Kujtim Dervishi në fjalën e tij u shpreh:

“…Ne si mësues dhe drejtues të kësaj shkolle me mbështetjen e shoqatës “Istanbul” jemi krenar që gjatë këtyre viteve të shkollimit tuaj kemi punuar së bashku për përgatitjen tuaj si nxënës të mirë, si qytetarë të devotshëm, si besimtarë të devotshëm për të përballuar sfidat e të ardhmes dhe si të barabartë me të gjithë bashkëmoshatarët tuaj…”

Më pas aktiviteti u shoqërua nga nxënësit e medresesë me këndimin e ilahive dhe recitimeve në dy gjuhët, atë shqipe dhe turke.

Nga ana tjetër, këta të rinj dhe të reja të diplomuar nisin tashmë një tjetër fazë të rëndësishme të jetës së tyre dhe dijes, atë të studimeve universitare.

- Arben Halluni, Shkodër -


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme