MIA dhe ATSH për krijimin e një network-u të përbashkët

Rritja e komunikimit midis dy agjencive të lajmeve, Agjencisë Telegrafike Shqiptare (ATSH) dhe asaj maqedonase të lajmeve (MIA), ishte në qendër të takimit të organizuar në të premte në mjediset e ATSH–së.

MIA dhe ATSH për krijimin e një network-u të përbashkët

Periudha e verës karakterizohet nga një fluks i turistëve të vendeve të Ballkanit drejt Shqipërisë dhe në mënyrë të veçantë nga Kosova dhe Maqedonia.
Një informacion i shpejtë, i detajuar dhe që nxit në mënyrë pozitive promovimin e asaj që ofron shqipëria në këtë periudhë, ka bërë që të rritet ndjeshëm synimi që kapacitetet turistike të shfrytëzohen nga turistët maqedonas, numri i të cilëve është në rritje.
Duke e parë këtë, jo vetëm si përgjegjësi, por edhe si mision, stafet e dy agjencive kanë vendosur në qendër të bashkëpunimit të tyre, mundësinë që të ketë një informacion sa më të përditësuar dhe konkret, me të gjitha të dhënat e kërkuara për qytetarët e të dy vendeve.

ATSH është e fokusuar në punën e saj në përpjekjet për promovimin e vlerave turistike dhe mundësive që ofron vendi në këtë drejtim,si një nga asetet më të rëndësishme të ekonomisë kombëtare. Pikërisht për krijimin e një dimensioni të ri komunikimi, erdhën në Shqipëri me ftesë të drejtorit të përgjithshëm të ATSH-së, Gëzim Podgorica , zëvëndësdrejtori i përgjithshëm i MIA-as, Halit Ajdini, kryeredaktorja e lajmeve, Pandora Arosovska Goceva dhe redaktorja përgjegjëse, Slavica Stefanovska.

Bashkëbiseduesit ndanë opinionin e përbashkët se dy agjencitë kanë një bashkëpunim shumë intensiv e konkret, i cili krijon mundësinë që të rritet e zgjerohet më shumë, duke u fokusuar në fusha me interes reciprok për të dy palët. Ekonomia dhe turizmi, si fusha që kanë nevojë për të sjellë informacion më të detajuar për publikun në Shqipëri dhe Maqedoni, u vlerësuan si prioritare në vijim të komunikimit e shkëmbimit të informacionit midis dy palëve.
Si dy vende me destinacione turistike që kanë interes jo vetëm për qytetarët shqiptarë dhe maqedonas, por edhe për ata perëndimorë, informacioni që mund të sjellin dy institucionet tona, krijon një sensibilitet pozitiv shumë të rëndësishëm.

Duke vizituar mjediset e ATSH-së dhe duke komunikuar nga afër me stafin e gazetarëve e përkthyesve, kolegët maqedonas, vendosën kontakte të drejtëpërdrejta me kolegët shqiptarë, gjë e cila domosdo do të bëjë edhe më konkret e të frytshëm marrëveshjen midis dy agjensive. ATSH është në një komunikim të shtuar në këtë periudhë edhe me agjenci të tjera të rajonit lidhur me informacione sa të plota që kanë turizmin si fushë prioritare.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme