Tirana mirëpret Kongresin e 3-të Ndërkombëtar Biomjeksor

Një fjalim në ditën e hapjes mbajti edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj

Tirana mirëpret Kongresin e 3-të Ndërkombëtar Biomjeksor

Në kryeqytetin e Shqipërisë, në Tiranë, mbahet Kongresi i Tretë Ndërkombëtar i Shkencave Biomjekësore. Në punimet dy ditore të tij marrin pjesë studiues dhe ekspertë nga rajoni dhe vende të tjera të botës.

Një fjalim në ditën e hapjes mbajti edhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj. “Përmbajtja e kësaj konference më bindi që të jem sot këtu për të iu respektuar të gjithëve ju”- u shpreh Rama. Më pas kreu i qeverisë shqiptare, u ndal në aspektet e reformës dhe të ndërhyrjeve nga ana e qeverisë për të përmirësuar kujdesin shëndetësor.

Ndërsa Ministri i Shëndetësisë së Shqipërisë, Ilir Beqaj, në fjalën e tij u shpreh se ky eveniment që mbahet në Tiranë shërben si pikë-takimi i përpjekjeve dhe ambicieve të profesionistëve dhe shkencëtarëve të rinj në shkencat biomjekësore, nga e gjithë hapësira shqip-folëse. Sipas tij kërkimi shkencor në rajonin tonë, është tashmë përherë e më tepër i integruar me kërkimin shkencor dhe inovacionin në BE.

“Sot, janë më të prekshme se kurrë, bashkëpunimet reale me qendrat e ekselencës në BE. Edhe Kongresi i sotshëm është dëshmi e integrimit evropian të të rinjve universitarë, jo vetëm në aspirata, por edhe në mendësi, praktika dhe metoda pune. Përveç kësaj, fakti që organizimi i këtij Kongresi është fryt i një nisme të ndërmarrë nga specialistët e rinj të shkencave biomjekësore, është mjaft shpresëdhënës dhe kuptimplotë”, u shpreh ministri Beqaj.

Kongresi i Tretë Ndërkombëtar i Shkencave Biomjekësore organizohet nga një grup profesionistësh dhe studiuesish të Fakultetit të Shkencave të Natyrës dhe i Fakultetit të Mjekësisë Tiranë dhe ka si qëllim të prezantojë përpara studentëve, jo vetëm rëndësinë e zhvillimit të shkencave biomjekësore, por edhe risitë dhe zhvillimet më të fundit në këtë fushë. Në kongres, janë ftuar të marrin pjesë gjithashtu edhe përfaqësues të universiteteve të njohura ndërkombëtare.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme