Universiteti Ndërkombëtar i Sarajevës, rritet kërkesa për studime
Universiteti Ndërkombëtar i Sarajevës, që është themeluar nga afaristë bamirës turq, u rendit në mesin e universiteteve më prestigjioze të Bosnjës. Në provimin e organizuar sivjet për të drejtën e studimeve me bursë u regjistrua një pjesëmarrje rekord.
Kërkesa për të ndjekur arsimin e lartë në Universitetin Ndërkombëtar të Sarajevës (IUS), që ndodhet në kryeqytetin boshnjak, po rritet vrullshëm nga viti në vit.
Pjesëmarrja në provimin e sivjetmë për të drejtën e studimeve me bursë në këtë institucion të arsimit të lartë ishte në nivele rekord.
Në kërkim të një të ardhmeje më të mirë, plot 2.100 të rinj boshnjakë trokitën portën e universitetit të themeluar nga afaristë bamirës turq.
Kjo është një shifër mjaft e lartë për një vend me rreth 4 milionë banorë.
Në provim morën pjesë gjimnazistë të vitit të fundit nga zona të ndryshme të Bosnjë-Hercegovinës. Sipas rezultatit të provimit, kandidatët do të fitojnë të drejtën e studimeve me bursë nga 25-100 për qind.
Universiteti Ndërkombëtar i Sarajevës është themeluar në vitin 2004 dhe brenda një kohe fare të shkurtër ka arritur të renditet mes institucioneve më prestigjioze të arsimit të lartë në Bosnjë-Hercegovinë dhe më gjerë në Ballkan.
Por ky universitet nuk preferohet vetëm nga të rinjtë boshnjakë, pasi në të ka studentë nga 49 vende të ndryshme.
Diplomat e Universitetit Ndërkombëtar të Sarajevës njihen edhe në Turqi.