Shëndeti, Turizmi dhe Turqia 07

Rënia e flokëve, e njohur në gjuhën shkencore si alopecia, është një nga sëmundjet apo problemet më të përhapura, që shumë njerëz përpiqen t'i gjejnë zgjidhje...

Shëndeti, Turizmi dhe Turqia 07

Në këtë seri të rubrikës “Shëndeti, Turizmi dhe Turqia” do të trajtomë rënien e flokëve dhe mënyrat e kurimit të kësaj sëmundjeje. Por fillimisht ju njohim shkurtimisht me disa të vërteta rreth flokëve tanë.

Një nga zgjatimet kozmetike më të rëndësishme të lëkurës së njeriut janë flokët, pa bërë dallim në ngjyrën dhe formën e tyre; pra të verdhë, gështenjë apo të zinj; të drejtë, me onde apo kaçurrelë. Çdo njeri ka rreth 100.000-150.000 fije floku. Nëse jeni flokëverdhë, kjo do të thotë se keni të paktën 20.000 fije floku më shumë se njerëzit me flokëkuq. Brenda fijeve të flokëve, që kanë formën e tubave tepër të hollë, gjendet një pigment i quajtur melaninë, e cila përcakton edhe ngjyrën e flokëve. Me kalimin e moshës lëngu, që mban këtë substancë, pakësohet ose humbet plotësisht dhe rrjedhimisht flokët thinjen, pra zbardhen.

Flokët janë shumë herë më të fortë sesa ju mund të mendoni. Ndoshta është e vështirë të besohet, por një fije floku mund të tërheqë 100 gr. Flokët rriten mesatarish deri në 1 cm. në muaj dhe periudha që ato zgjaten më shpejtë është mosha nga 15-30 vjeç. Kurse jetëgjatësia e një fijeje floku është vetëm 4 vjet.

Sipas specialistëve të kësaj fushe, është normale që në ditë të bien deri në 100 fije floku dhe çdo fije e rënë të zvëendësohet nga një tjetër brenda 6-10 javëve. Përgjatë jetës së njeriut, nga rrënja e çdo fijeje floku mbijnë deri në 20 fije të reja. Po të marrim parasysh se jetëgjatësia e një fijeje floku është e kufizuar me 4 vjet, nuk do të ishte e gabuar të nxirrnim përfundimin se në lëkurën e kokës së njeriut ka një proces rinovimi të vazhdueshëm të flokëve.

Problemi fillon kur në vend të flokëve që bien nuk mbijnë të fije të reja. Tullacllëku i formuar si pasojë e rënies së flokëve, një fenomen ky që vihet re vaçanërisht tek burrat, paraqitet si një nga problemet më të vjetra të bukurisë dhe estetikës për njerëzimin.

Rënia e flokëve, që arrin deri në atë pikë sa shndërrohet në problem për burrat dhe gratë, mund të ketë shumë shkaqe. Përdorimi i disa kimikateve (shampo, xhel, llak, bojëra flokësh etj.), menopauza, luajtja me flokët, mungesa e hekurit dhe zinkut, dobësimi i tepërt, mungesa e proteinave në varësi të dietave të forta, konsumi i alkoolit dhe duhanit, lindja dhe stresi janë vetëm disa këta faktorë. Rënia e flokëve si pasojë e një shkaku të caktuar, në përgjithësi zhduket plotësisht menjëherë pasi eliminohet shkaku dhe personit i mbijnë flokë të rinj.

Forma më e përhapur e rënie së flokëve është ajo e natyrshmja e tipit që vërehet kryesisht tek meshkujt, nga e cila disa burra e kanë të pamundur të shpëtojnë. Kjo formë e rënies së flokëve, që ndryshe njihet edhe si alopecia fiziologjike apo androgjenike, është makthi i shumë burrave. Trashëgimia është një faktor tepër i rëndësishëm në këtë lloj rënieje, por faktorët e tjerë nuk dihen me saktësi. Tek meshkujt kjo shfaqet që në adoleshencë apo rreth moshës 20-vjeçare. Sipas këtij modeli, rënia e flokut fillon në zonën e kurorës dhe në dy anët e ballit. Ndërsa tek femrat kjo formë e alopecisë vihet re në të 40-tat e tyre ose më vonë. Ato vuajnë nga një hollim i përgjithshëm i flokut, me rënie më të theksuar në kurorë. Në këtë formë alopecie, që mendohet se kryesisht ka lidhje me hormonet mashkullore, flokët nuk bien vetëm në pjesën e pasme të kokës, afër qafës, si dhe në zonat e tëmthave. Edhe pse mund të ngadalësohet nëpërmjet disa ilaçeve, që merren me rrugë orale, apo disa medikamendeve dhe produkteve kozmetike, që aplikohen nga jashtë, pra mbi lëkurën e kokës; për fat të keq alopecia androgjenike nuk mund të parandalohet në kushtet e sotme.

Rënia e flokëve si tek burrat ashtu edhe tek gratë mund të ketë disa faktorë. Por në rubrikën tonë ne po trajtojmë rënien e natyrshme të flokëve tek meshkujt. Pjesa më e madhe e burrave e pranojnë pa komplekse ose pa krijuar probleme tullacllëkun, që vjen si pasojë e rënies së flokëve; mirëpo pjesa tjetër ndihet tej mase të shqetësuar nga ky problem, madje në disa raste përjetojnë edhe çrregullime psikologjike. Megjithatë, tani ata janë shumë herë më me fat se sa meshkujt, që kishin të njëjtat probleme jo shumë larg, por vetëm 10-15 vjet më parë. Gjatë dekadës së fundit, metoda e kurimit të rënies së flokëve apo transplantimi i flokëve është zhvilluar aq shumë, sa që tullacllëku nuk konsiderohet më një fat i pashmangshëm.

Transplantimi apo mbjellja e flokëve është faktikisht një metodë, që aplikohet prej shumë vitesh për personat, të cilët vuajnë nga rënia e theksuar e flokëve. Ajo është realizuar për herë të parë në vitet 1940 nga dermatologu japonez, Dr. Okuda dhe është popullarizuar në vitet 1970, falë metodës së zhvilluar nga dermatologu amerikan, Dr. Normën Arëntraik (Norman Orentreich). Por tek kjo mënyrë dukej qartë se flokët ishin të mbjella. Ndërsa në metodat e reja të perfeksionuara gjatë viteve 2000, filluan të merren rezultate shumë herë më të suksesshme, gjë kjo që solli me vete një popullarizim të jashtëzakonshëm dhe të vazhdueshëm të mbjelljes së flokëve.

Metoda e sotme e transplantimit të flokëve shkurtimisht mund të shpjegohet si mbjellja një e nga një e fijeve të flokut të marra nga pjesa e pasme e kokës ose nga thëmthat, zona këto ku flokët nuk bien, në pjesët përreth kurorës dhe sipër ballit, ku përgjithësisht flokët bien më shumë ose plotësisht. Përpara ndërhyrjes së transplantimit të flokëve, bëhet një analizë e detajuar e fijeve të flokëve dhe lëkurës së pacientit, mbi të cilin do të aplikohet kjo metodë, si dhe përcaktohet sasia e flokëve që do të mbillen dhe atyre që mund të merren. Realizimi me sukses i këtij veprimi është në varësi të shumë faktorëve që nga ngjyra dhe trashësia e fijes së flokut, e deri tek lloji dhe ngjyra e lëkurës së pacientit. Sot mbjellja e flokëve vlerësohet në të gjithë botën si një ndërhyrje kirurgjike e vogël dhe zgjat 4-6 orë. Operacioni bëhet me anestezi lokale dhe pacientët nuk ndiejnë asnjë lloj dhimbjeje. Specialistët tërheqin vëmendjen mbi rëndësinë e madhe të përvojës së ekipit të mjekëve, që realizojnë transplantimin e flokëve, pasi vetëm në këtë mënyrë mund të arrihen rezultate të suksesshme.

Turqia renditet në krye të vendeve të rajonit, që e realizojnë në nivele tepër të avancuara këtë ndërhyrje. Një numër i madh klinikash turke me përvojë, që ofrojnë çmime të arsyeshme, e aplikojnë me sukses të jashtëzakonshëm mbjelljen e flokëve mbi shumë pacientë, pjesa dërrmuese e të cilëve janë burra, si vendas ashtu edhe të huaj. Ndërsa çmimet ndryshojnë nga 1.000-2.500 euro, në varësi të kërkesave të pacientëve dhe ndërhyrjes kirurgjike.



Lajme të ngjashme