Operacioni “Burimi i Paqes”

Qëllimi ynë është paqja
objektivi është terrorizmi

Koment – Samiti i G20-s nën presidencën e radhës së Turqisë

Samiti i G20-s për vitin 2015, organizuar nën mikpritjen dhe kryesinë e radhës së Turqisë në datat 15-16 nëntor, u përmbyll me sukses në qytezën bregdetare dhe turistike Belek të Antalias.

Koment – Samiti i G20-s nën presidencën e radhës së Turqisë

Falë logos së zbukuruar me motivet e saj tradicionale, aktivitetet dhe ritualet e G20-s, Turqia ishte në qendër të vëmendjes botërore për dy ditë radhazi. Samiti i G20-s në vitin 2015 do të shkruhet në histori jo si një takim i rëndomtë i liderëve të 20 shteteve më të industrializuara të botës, por si mbledhje e jashtëzakonshme qoftë për agjendën, qoftë dhe për rezultatet e saj. Sepse bota përjetoi dy zhvillime tepër të rëndësishme pikërisht në çastin që kishin përfunduar të gjitha përgatitjet dhe pritej fillimi i samitit.

Njëra prej dy ngjarjeve, që dominuan agjendën dhe rezultatet e Samitit të G20-s ishte seria e sulmeve terroriste të DAESH-it në Paris, me pasojë vdekjen e 132 personave; ndërsa tjetra ishte Marrëveshja e Vjenës për zgjidhjen e konfliktit në Siri. Në Deklaratën Përfundimtare të Samitit të G20-s dhe në konferencat për shtyp të liderëve pjesëmarrës dolën në pah katër çështje:

1- Konsensus absolut për të luftuar bashkërisht kundër organizatës terroriste DAESH. Të gjithë liderët, sidomos presidentët Erdogan, Obama dhe njëherësh Hollande nëpërmjet një fjalimi në Parlamentin e Francës, theksuan se DAESH-i përbën kërcënim për të gjithë njerëzimin dhe se duhet të luftohet në mënyrë të përbashkët.

2- Konsensus i fuqishëm në lidhje me zbatimin e Marrëveshjes së Vjenës për zgjidhjen e problemit sirian. Të gjithë liderët u pajtuan në idenë për t’i dhënë fund luftës civile siriane dhe për themelimin e një Sirie të re në fund të periudhës së tranzicionit 6 dhe 18-mujor. Në mjegull mbeti vetëm çështja e pozicionit të Beshar Esadit në Sirinë e re; por Erdogan dhe Obama theksuan se në Sirinë e re nuk ka më vend për Esadin. Edhe pse dihet që kjo ide nuk para pranohet nga vende si Rusia, Putini apo autoritetet e Moskës nuk u shprehën prerazi në favor të qëndrimit të Esadit në pushtet. Me sa duket, Beshar Esadi do ta ketë shumë të vështirë për të mbajtur postin; por kjo do të shihet më qartë në fund të tranzicionit 6 dhe 18-mujor.

3- Konsensus mbi domosdoshmërinë e ndihmave financiare, materiale dhe sociale nga të gjitha vendet për t’i gjetur zgjidhje problemit të refugjatëve. Kryetarët e shteteve dhe qeverive të G20-s ranë dakord në përgjithësi se refugjatët nuk duhet të viktimizohen, kufijtë nuk duhet të mbyllen dhe në veçanti nuk duhet të trajtohen si terroristë.

4- Sa i përket çështjeve lidhur me ekonominë globale; liderët gjetën konsensusin për një rritje ekonomike botërore të ekuilibruar, për reformimin e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), për të luftuar papunësinë dhe nxitur punësimin, si dhe për të mbështetur vendet pak të zhvilluara dhe shtresat e pafavorshme. Në këtë pikë spikasin sidomos efektet negative, që politikat amerikane për norma të larta interesi kanë mbi ekonomitë pak të zhvilluara; pengesat në lidhje me reformimin e FMN-së, si dhe rrija e investimeve infrastrukturore.
Të dashur dëgjues! Jeni në valët e Zërit të Turqisë dhe po dëgjoni një analizë të prof. dr. Ramazan Gozen, lektor i shkencave politike dhe marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin “Marmara” të Stambollit...

Miq të vyer! Përveç përfundimeve të përgjithshme të Samitit të G20-s, është vërejtur se gjurmë të thella gjatë sesioneve ka lënë edhe vetë Turqia. Këtu nuk e kemi fjalën vetëm për organizimin e samitit në Antalia, si një nga qendrat turistike më të famshme të botës, për përdorimin e traditave dhe motiveve turke apo për demonstrimin e mikpritjes së vendasve; por për diçka më të rëndësishme: Pasqyrimi, edhe pse i pjesshëm, i opinioneve e propozimeve të Turqisë në të gjitha mbledhjet e samitit dhe në Deklaratën Përfundimtare të tij. Të gjitha këto mund të shikohen qartë në katër pikat e lartpërmendura.

Si shembull për këtë ia vlen të citojmë opinionin e mbrojtur fuqishëm nga Turqia se “terrori nuk ka as fe, as gjuhë, as ngjyrë, as komb, as racë dhe as atdhe; terrori është terror”, që ka zënë vend në Deklaratën Përfundimtare të samitit dhe njëherësh është reflektuar gjerësisht në daljet publike të liderëve. Pranimi i DAESH-it si një kërcënim kolektiv, që i kanoset të gjithë globit dhe njerëzimit, por edhe mbështetja për Turqinë në luftën e saj kundër terrorit, është një tregues i pakontestueshëm për sa më sipër.

Një tjetër kontribut i Turqisë për G20-n ka të bëjë me hapat, që duhen bërë në ekonominë botërore. Përgjatë presidencës së radhës në G20, Turqia ka paraqitur propozime dhe organizuar aktivitete në tri përmasa për zhvillimin ekonomik global. Përmes dimensioneve “gjithëpërfshirje”, “implementim” dhe “investim”, Ankaraja ka sjellë një këndvështrim të ri dhe ndryshe për ekonominë globale.

“Gjithëpërfshirja” sugjeron që në ekonominë globale të ketë një pjesëmarrje më të lartë të vendeve pak të zhvilluara, të rinisë dhe të grave. Duke u nisur nga ky qëllim, Turqia jo vetëm që luajti rol pararojë në themelimin e Grupit të Gruas (W20) në kuadër të G20-s, por edhe realizoi një sërë aktivitetesh në fushën e biznesit (B20), në sektorin civil (C20), në pjesëmarrjen e grave dhe të rinjve në ekonomi e qeverisje (respektivisht W20 dhe Y20), si dhe në lëmin e fuqisë punëtore dhe punësimit (L20). Në Deklaratën Përfundimtare të Samitit të G20-s në Antalia zunë vend këshilla për eliminimin e pabarazisë ekonomike globale në mënyrë që të përfshijë të gjitha fushat.

“Implementimi”, që është pika e dytë e propozuar nga Turqia, këshillon zbatimin e menjëhershëm të vendimeve të G20-s dhe thekson domosdoshmërinë e përmbushjes së premtimeve të bëra.
Kurse “investimi”, dimensioni i tretë i sugjeruar nga Ankaraja, tërheq vëmendjen mbi investimet në infrastrukturë, punësimin, rritjen e ekuilibruar ekonomike dhe mbi fushën e reformave institucionale, për një zhvillim të mëtejshëm të ekonomisë globale. Sipas parashikimeve, për investimet infrastrukturore anembanë botës nevojiten 4,4 trilionë dollarë deri në vitin 2030.

Megjithatë ekziston një problem serioz në lidhje me mbledhjet dhe përfundimet e e G20-s: Sa detyruese janë për vendet anëtare vendimet e marra në këto samite? Bazuar në statistikat e derisotme dhe parashikimet e ekspertëve, vetëm 40-45% e vendimeve të marra në samitet e G20-s zbatohen. Duke qenë se G20-ta nuk ka forcë monitoruese dhe sanksionuese, vendimet e paimplementuara ose rezultojnë krejtësisht boshe ose i adresohen samitit të radhës.

Ç’është më e rëndësishmja, vendet anëtare të G20-s nuk kanë efikasitet të mjaftueshëm sa i takon disa çështjeve me peshë botërore, si lufta antiterror, ngrohja globale, çarmatimi bërthamor dhe balanca e mirëqenies ndërmjet vendeve. Kjo sepse G20-ta është një institucionalizim ndërshtetëror tipik, i cili ose nuk i ngre në rend të ditës qëllimisht çështjet, që nuk kanë të bëjnë me interesat e shtetkombeve, ose nuk arrin të jetë i efektshëm në lidhje me to.

Po ashtu, G20-ta qëndron spektatore ndaj pushtimeve, aneksimeve dhe shkeljeve të kryera nga vetë shtetet anëtare të grupit, ose në rastin më të mirë reagon, por jo si duhet. Si pasojë e të metave në fjalë, G20-ta është njëherësh edhe një organizëm shumë i paefektshëm. Shkaku kryesor i kësaj është se G20-ta nuk ka një forcë detyruese mbi anëtaret e saj, siç është ajo e BE-se mbi vendet e bllokut apo sekretaria e përhershme, buxheti dhe instrumentet e tjera të qëndrueshme në rastin e OKB-së.

 

Autor: Prof. dr. Ramazan Gozen - Pedagog i Shkencave Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin “Marmara”, Stamboll

Shqipëroi: Hilmi Velagoshti - Gazetar në Departamentin e Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme