Operacioni “Burimi i Paqes”

Qëllimi ynë është paqja
objektivi është terrorizmi

741-vjetori i vdekjes së Mevlana Xhelaledin Rumiut

Mevlana Xhelaledin Rumiu është njëri prej përfaqësuesve të shquar të sufizmit, apo misticizmit islam në Anadoll.

741-vjetori i vdekjes së Mevlana Xhelaledin Rumiut

Mevlana, ky mjeshtër i madh i ideve dhe ndjenjave, sufist, një mësues shpirtëror njihet edhe si një person me virtyte të larta. Ai ishte njëri prej dijetarëve të mëdha të islamit, i cili lindi në vitin 1207 në qytetin Behl të Afganistanit të sotëm.

Shkollimin fillor Mevlana e mori prej dijetarëve të mëdhenj të asaj kohe dhe prej babait të tij Bahaeddin Veledi që njihej edhe si “Sulltani i Dijetarëve”. Burimi i mendimeve të Mevlanës ishin mësuesit e tij të sufizmit jashtë medresesë. Gjatë jetës së tij ai shkroi 5 vepra të rëndësishme. “Masnavi” është në mesin e veprave më të rëndësishme. Sado që “Masnavi” është një vepër e shkruar në stilin e letërsisë klasike lindore kur thuhet Masnavi gjëja e parë që të bie në mendje është Masnavia e Mevlanës.

Që të kuptojmë më mirë Mevlanën duhet të bëjmë pakëz fjalë për filozofinë e misticizmit islam, sepse në të kundërtën nuk do të mund ti kuptojmë drejt mendimet e tij. Tema dhe mesazhi kryesor i mendimeve dhe veprave të Mevlanës është dashuria që ndjenë ndaj Allahut dhe krijesave të tij. Për këtë arsye ideja dhe qenia kryesore mbi të cilën përqendrohet Mevlana Xhelaledin Rumiu në mendimet dhe veprat e tij është Allahu. Në qendër të filozofisë gjendet edhe njerëzimi, ndërsa qëllimi i tij është që njeriu të arrijë në pjekuri, pra ta shpëtoj nga epshi i kësaj bote dhe të ndihmoj që të shndërrohet në një person të orientuar nga dashuria hyjnore.

Filozofia e Mevlanës mund të përmblidhet me këto fjalë: të hash pak, të flasësh pak, të flesh pak, t'i kontrollosh epshet, t'i përballosh vuajtjet nga njerëzit, të qëndrosh larg nga njerëzit e këqij dhe të jesh me njerëzit e mirë. Lumturia e njeriut sipas Mevlanës mund të arrihet me një jetë e thjeshtë, miqësia me njerëz të tjerë dhe falënderimi. Filozofia e sufizmit nuk shfaqet vetëm në mendimet e Mevlanës, por edhe në sjelljet e tij. Xhelaledin Rumiu ishte një njeri mjaftë i thjeshtë. Ai rrinte larg nga turma dhe shqetësohej mjaftë shumë nga puthja e dorës dhe bërje sexhde ndaj tij. Mevlana nuk i trajtonte njerëzit sipas shtresës së tyre sociale, por tregonte përulësi ndaj të gjithëve.

Për të kuptuar personalitetin dhe mendimet e Mevlanës është e nevojshme të bëjmë fjalë edhe për Shemsi Tebrizin, i cili pati një ndikim të madh ndaj Mevlanës. Sepse nëse nuk bëjmë fjalë për Shemsin atëherë shpjegimi i Mevlanës do të jetë e mangët. Shemsi Tebriziu ndryshoj jetën normale të Mevlanës, ndërsa bëri që të ai të jetë më entuziast. Tebriziu kishte një vizion të mprehtë, ishte një dijetar i mençur dhe një udhëtregues i dijshëm. Ai bëri që Mevlana të nxjerr jashtë “personalitetin e tij”, të pastrohet nga epshet, të mbetet indiferent ndaj pasurive të kësaj bote, të zhduk dëshirat e tij që krijonin pasion tek ai. Takimet e Shemsi Tebriziut dhe Mevlanës cilësohej si takimi i dy deteve (dy dijetarëve të mëdhenj).

Vdekja për Mevlanën, i cili jetën e tij e përshkruan me fjalët “isha i papjekur, u pjeka, u dogja”, është rilindje dhe një realitet. Sipas tij njeriu para se të vijë në këtë botë ishte një shpirt që jetonte një jetë të lirë dhe të lumtur, ndërsa me ardhjen në këtë botë bëhet rob i trupit të tij. Rumiu besonte se kur shpirti del prej trupit, pra kur njeriu të vdes, ai takohet me krijuesin e tij. Për këtë arsye vdekja nuk është një gjë prej së cilës duhet të frikësohet njeriu, por është një bashkim në botën e amshuar me Allahun e madhërishëm. Për këtë arsye Mevlana ditën e vdekjes e cilëson si “ditën e dasmës” ose “Sheb-i Arus” pra bashkimi me të dashurin, ndërsa të afërmit i porositë që të mos pikëllohen.

Pas vdekjes së Mevlanës i biri i tij në Anadoll themelon një tarikat të quajtur Mevlevi, ndërkaq pas themelimit të Perandorisë Osmane, mevlevizmi përhapet në Anadoll dhe merret nën mbrojtjen e shtetit, ndërsa në medrese Masnavia ishte lëndë e detyrueshme.

Kur bëhet fjalë për mevlevizmin, doktrina origjinale dhe simbolike e Mevlanës është njëra prej elementeve të rëndësishme të këtij tarikati. Këtu duhet të përmendim “Ritin e semas” pra vallëzimin e dervishëve. Sepse semaja në mevlevizëm shikohet si një rrugë për tu qasur tek perëndia, për të qenë së bashku me perëndinë, një mënyrë e qasjes në të vërtetën hyjnore. Semaja mund të cilësohet si një hap që shpien tek dashuria universale, një lutje, një vallëzim që përmban rite fetare. Për Mevlanën nuk ka vend, kohë dhe rregull të caktuar për sema. Mevlana semanë e bënte në atë çast kur ndjente dashurinë hyjnore në gjitha qelizat e tij, kur kjo dashuri nuk dilte nga zemra dhe në të gjitha momentet kur arrinte në ekstazë me dashurinë ndaj Allahut. Riti i semasë së mevlevive në vitin 2005 nga ana e UNESCO-s është shpallur si një kryevepër e trashëgimisë gojore dhe jomateriale e njerëzimit.

Edhe pse pas lindjes së tij kanë kaluar më shumë se 8 shekuj, drita e Mevlana Xhelaleddin Rumiut, mendimet e tij, vazhdojnë të ndriçojnë mendjen dhe zemrat e njerëzve të sotëm. Poezitë e tij iu drejtohen të gjithë njerëzve pa dallim vendin dhe kohën ku jetojnë. Filozofia e dashurisë së Mevlanës, prej kohës kur jetoj e deri më sot tërheq vëmendjen jo vetëm të turqve, por edhe të gjithë njerëzve të botës pa dallim feje apo kulture. Mevlana pati ndikim të thellë dhe vazhdon të ketë edhe tek personat e shumtë të shquar të botës, duke filluar prej poetit të famshëm gjerman Goethe e deri tek valltari francez, Moris Bejar. Shumica e mendimtarëve dhe shkrimtarëve, ndajnë mendimin e turkologes së shquar franceze Iren Melikof ku ajo thotë: “Sikur popujt e botës ti përkthejnë në gjuhët e tyre dhe ti lexojnë veprat e Mevlanës, në botë nuk do të kishte ndonjë të keqe, luftëra apo urrejtje”.

Mevlana, i cili thoshte: “Ne në këtë tokë nuk mbjellim gjë tjetër veçse dashuri, në këtë arë të pastër nuk mbjellim ndonjë farë tjetër përveç kësaj”, jepte qartë mesazhin njerëzimit për vendosjen e dashurisë, paqes dhe pajtueshmërisë mes njerëzve dhe ky mesazh sot ka fituar në kuptim si asnjëherë më parë. Mesazhi dhe doktrina e Mevlanës në ditët e sotme është një udhërrëfyes për njerëzit pa dallim fenë dhe kulturën për të jetuar në paqe dhe mirëqenie.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme