100-vjetori i rënies së kolonel Thomson

Më 15 qershor mbushen plot 100 vjet nga rënia në betejë e kolonelit holandez, Lodewijk Thomson, i cili mbeti i vrarë në krye të detyrës në një përpjekje në Durrës, ndërsa luftonte për të shtypur kryengritjen e organizuar nga Esad Pashë Toptani.

100-vjetori i rënies së kolonel Thomson

Më 15 qershor mbushen plot 100 vjet nga rënia në betejë e kolonelit holandez, Lodewijk Thomson, i cili mbeti i vrarë në krye të detyrës së bashku me 40 kapitenë dhe ushtarë shqiptarë në një përpjekje në Durrës, ndërsa luftonte për të shtypur kryengritjen e organizuar nga Esad Pashë Toptani, në atë kohë ministër i Brendshëm i Shqipërisë.

 

Me këtë rast të dielën në qytetin e Durrësit do të zhvillohet një ceremoni përkujtimore në nder të Kolonelit trim dhe 100 vjetorit të Misionit të Parë Paqeruajtës në Shqipëri. Shkrimtari i shquar dhe diplomati i kohës, Faik Konica, e quajti Thomsonin në funeralin e tij “një hero, një mbrojtës sypatrembur të Shqipërisë dhe një martir të lirisë”.

 

Lodewijk Thomson lindi më 11 qershor 1869, në Voorschoten pranë Hagës, në një familje ushtarakësh. Shkollën fillore e kreu në qytetin e lindjes, ndërsa më pas u shpërngul në Rotterdam, ku përfundoi shkollën reale. Pas mbarimit të programit trevjeçar të shkollës pasuniversitare, ai u regjistrua në Akademinë Mbretërore Ushtarake në Breda më 1884, ku në vitin 1892 u gradua toger dhe fitoi titullin “Kryqi i Nderit’.

 

Pas një sërë misionesh në ushtri në vende të ndryshme të botës, si dhe vlerësimit me një numër dekoratash për trimëri si “Urdhri i Luanit të Holandës”, “Kalorësi i Urdhrit me Shpatën e Suedisë”, etj, Tomsoni vjen për herë të parë në Shqipëri në nëntor 1912 si atashe ushtarak, për të ndjekur nga afër luftimet gjatë Luftës Ballkanike. Më 14 shkurt 1913, ai ndoqi zhvillimet në Serbi e Mal të Zi. Në vitin 1913 qeveria holandeze mori një kërkesë nga Fuqitë e Mëdha për të dërguar në Shqipëri oficerë, të cilët do të ndihmonin në organizimin e Xhandarmërisë së shtetit të ri shqiptar.

 

Thomson ishte përzgjedhur nga Mbretëria e Holandës për këtë mision 3- vjeçar dhe së bashku me një tjetër oficer të lartë dhe 17 ushtarë holandezë mbërritën në Vlorë, më 10 nëntor 2013. Në maj 1914 në Shqipëri nisën revoltat. Esad Pasha, ministër i Brendshëm qëllimisht e la Jugun e Shqipërisë që të përkeqësohej dhe favorizoi kryengritjen e Harif Hyqmetit duke armatosur në fshehtësi popullin e Tiranës për ta dërguar në Jug.

 

Më 18 maj 1914 marshimi i kryengritësve u zbulua ndërsa në Durrës u panë shenja të grushtit të shtetit. Esat Pasha, për të dobësuar krahun e qeverisë, kërkoi dorëheqjen e komandantit të rezistencës majorit Sluys, por kjo kërkesë e tij nuk u mor parasysh dhe ai u shkarkua nga posti ministror. Nga ana tjetër, Thomsoni armatosi nacionalistët e Tiranës dhe më 19 maj 1914, forcat e komanduara prej tij rrethuan dhe goditën me artileri sarajet e Esat Pashë Toptanit. Esat Pasha u dorëzua dhe u dëbua në Itali, pas betimit se nuk do të kthehej më në Shqipëri.

Ndërsa kryengritja kishte marrë përmasa të mëdha dhe duhej një plan për izolimin e tyre, pas negociatave me rebelët, qeveria vendosi ta shtypë kryengritjen me forcë. Plani u hartua nga kolonel Thomson, i cili u emërua dhe komandant i rezistencës. Me këtë plan do shtypej kryengritja, por në fakt ngjau ndryshe.

 

Plani i kolonel Thomsonit u dekonspirua. Më 15 qershor 1914, 300 bujq të organizuar nga oficerët e Esat Pashës rrethuan Durrësin, 400 të tjerë u vendosën në Porto Romano, 800 të tjerë bllokuan Urën e Dajlanit dhe të tjerët u vendosën në rrugën që të çon për në Kavajë. Thomson siguroi në fillim depot e municionit e për të dalë përtej urës, i duhej të vinte nën kontroll kodrat e Rrashbullit. Koloneli Thomson udhëhoqi personalisht sulmin kundër kryengritësve dhe u vra në përpjekje e sipër.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme