"Java e filmave" në Marubi - Në fokus tri filma të Fatih Akën

Qëndra e Gjermanishtes, së bashku me Ambasadën e Gjermanisë dhe Akademinë e Filmit dhe të Multimediës Marubi do të shfaqin në tri ditë një retrospektivë të tri filmave më të mirë të regjisorit gjermano-turk Fatih Akën (Akın), i cili sot jeton në Hamburg.

"Java e filmave" në Marubi - Në fokus tri filma të Fatih Akën

“Në prag të parajsës” të shtang nëpërmjet një tingulli të ri të regjisorit Akın. Nëse filmi “Përplasje në mur” ngjante si punkrock, ky film ngjan si një baladë. Nëse aktori kryesor te “Përplasje në mur” ishte një karakter i egër, i shfrenuar dhe vetëshkatërrues, homologu i tij te ky film është komplet i kundërt: i butë, i matur, i dashur dhe intelektual. Quhet Nexhat (Baki Davrak), një “figurë androgjine” (Akın), i cili lidh historinë e ndërthurur të gjashtë fateve të ndryshme, të cilat kryqëzojnë, prekin dhe ndonjëherë edhe cekin shkarazi njëra-tjetrën. Nexhati është profesor gjermanistike pranë Universtietit të Hamburgut.

Me dhembshuri ai kujdeset për babanë e tij të vjetër që vuan nga zemra: një i ve me emrin Ali Aksu (Tuncel Kurtiz), i cili ka pasur punuar në qytetin e Bremenit si shofer taksie, për të rritur i vetëm djalin e tij, dhe që sot dëshiron edhe njëherë të përjetojë diçka si një familje. Për këtë arsye ai merr në shtëpi nga lagjja e bordellove të Bremenit një prostitutë turke, Jeter Ëctyrk (Nursel Köse). Mirëpo Jeteri nuk tregohet gjithnjë e bindshme dhe një ditë, në shpërthim e sipër të natyrës së tij patriarkale e shungulluese, ai papritur e godet atë. Goditje që çon në rënien dhe vdekjen e saj.

Aliun e arrestojnë dhe e kthejnë në Turqi. Nexhati, i cili i kthen të atit shpinën, zbulon që Jeteri, me lekët që fitonte si prostitutë, mbështeste financiarisht të bijën, Ajten (Nurgül Yeşilçay), që kishte në Stamboll. Ai shkon atje dhe pasi merr me qira një librari, nis ta kërkojë Ajtenin. Mirëpo vajza, një aktiviste politike me natyrë luftarake, udhëton, ilegalisht dhe duke u arratisur nga policia turke, në drejtim të kundërt me të, për në Gjermani.

Tregimi kalon sa nga njëra figurë te tjetra, duke kërcyer njëkohësisht edhe mbrapa në kohë, çka shkakton një histori rrethrrotulluese dhe me shumë këndvështrime, e cila shoqëron edhe fatin e Ajtenit: takimi me studenten gjermane dhe shumë të angazhuar Lote Shtaub (Patrycia Ziolkowska), prej së cilit rezulton një histori dashurie dhe një sherr me mamanë e saj xheloze dhe tepër protektive (Hanna Schygulla); arrestimi nga autoritetet e azilit dhe burgimi në një burg grash. Në fund historia ndalon në Stamboll, ku Lote – përsëri një vdekje tragjike dhe e rastësishme – vritet me armë zjarri dhe mamaja e saj e pikëlluar, gjatë vazhdimit të veprimtarisë së saj aktiviste, ndeshet me Nexhatin.

Filmi tejkalon situata të mëdha (imigrimin dhe të drejtën e azilit; prostitucionin dhe ndërtimin e familjes; vdekjen dhe shndërrimin), por e fiton fuqinë e tij në portretin e vet. Karakteret theksohen në mënyrë të mrekullueshme dhe të qartë: ashpërsia e babait; entuziazmi luftarak i aktivistes dhe qetësia medituese e profesorit të gjermanistikës. Veçanërisht e bukur: skena e kuzhinës, në të cilën Hana Shygula pjek një kek me qershi dhe do t’i japë vajzës turke, për të cilën është xheloze sepse po i merr të bijën, një leksion dhe për këtë i duhet të zgjohet nga gjendja e saj letargjike.

Lëvdatat më të mira për regjisorin, i cili u lind dhe u rrit në Hamburg si fëmija i dy imigrantëve turq dhe që krijon vazhdimisht në filmat e tij figura të përjashtuara apo të jashtme, të cilat luhaten midis Gjermanisë dhe Turqisë. Me anë të kësaj ai përpiqet të fusë në lojë të gjithë diapazonin e kontrasteve kulturore, të cilat e kanë karakterizuar atë nga ana biografike. Këtu bëjnë pjesë kontrastet midis kulturës urbane-perëndimore dhe prejardhja tradicionale; kontrastet midis kulturës së lartë dhe rrymës muzikore pop; kontrastet midis angazhimit politik dhe kërkimit të arsyes si dhe kontrastet midis brezave dhe figurave të roleve të burrave dhe të grave.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme