Turqia feston ditën e sovranitetit kombëtar

Çdo vit 23 Prilli, Dita e Sovranitetit Kombëtar dhe Festa e Fëmijëve festohet bashkë me fëmijët që vijnë nga vende të ndryshme të botës.

Turqia feston ditën e sovranitetit kombëtar


23 Prilli-Dita e Sovranitetit Kombëtar dhe Festa e Fëmijëve kremtohet në 23 Prill, që është edhe përvjetori i thirrjes për herë të parë i Asamblesë së Madhe Kombëtare. Kjo datë është një festë zyrtare e Republikës së Turqisë. Çdo vit 23 Prilli, Dita e Sovranitetit Kombëtar dhe Festa e Fëmijëve festohet bashkë me fëmijët që vijnë nga vende të ndryshme të botës.

 

Kjo festë është simboli i sovranitetit kombëtar të realizuar në 23 prill të vitit 1920 me thirrjen e Asamblesë së Madhe Kombëtare në Ankara.

 

Blloku Qendror, me të cilin ishte bashkuar edhe Perandoria Osmane, në fund të Luftës së Parë Botërore, e cila zgjati 4 vjet, doli me humbje. Sipas rregullave të luftës, palë e mundur pranohej edhe Perandoria Osmane. I gjithë vendi u nda nga anglezët, francezët, grekët dhe italianët.

 

Në 19 maj 1919 Mustafa Qemal Pashai shkoi nga Stambolli në Samsun për të filluar Luftën Nacionalçlirimtare. Nga Samsuni Ai kaloi në Amasja, pastaj në Erzurum dhe nga këtu shkoi në Sivas. Në Sivas dhe Erzurum mbajti kongrese të rëndësishme. Mustafa Qemal Pashai kishte besim në idealin e tij se sovraniteti i takonte popullit. Duke qenë i bindur për këtë ai lëshoi parimin: “Ai që do ta shpëtojë popullin është përsëri vullneti dhe vendosmëria e vet popullit”. 3 ditë pas pushtimit të Stambollit, në datën 19 mars 1920, Ataturku publikoi një komunikatë me shprehje mjaft të prera dhe të vendosura. Sipas kësaj komunikate në Ankara do të thirrej një Asamble me kompetenca të jashtëzakonshme. Në komunikatë bëheshin sqarime se si do të zgjidheshin delegatët që do të merrnin pjesë në këtë Asamble dhe nënvizohej domosdoshmëria për ti mbajtur zgjedhjet jo më vonë se 15 ditë nga data e shpalljes së komunikatës. Përfaqësuesit e zgjedhur në të katër anët e atdheut në 23 prill 1920 erdhën dhe u mblodhën në Ankara. Vendimet që morën këta 115 deputetë në mbledhjen e parë të zhvilluar nën çatinë e Asamblesë së Madhe Popullore të Turqisë vinin në dukje se kjo Asamble do të ishte e përhershme, Qeveria e Stambollit tani e kishte humbur legjitimitetin dhe se ishte krijuar një qeverisje e re e bazuar në sovranitetin e popullit. Asambleja e Madhe Kombëtare e Turqisë (TBMM) është një kuvend që e merr fuqinë nga populli. Asambleja e parë përbëhej nga deputetë me pikëpamje të ndryshme. Ideja e përbashkët që sundonte në këtë Asamble ishte çlirimi i vendit nga pushtimi i huaj.

 

Turqia, Populli Turk në fillim krijoi Kuvendin e tij, pastaj krijoi një shtet të ri, Shtetin e Turqisë. Më vonë, në 29 tetor 1923 u krijua Republika e re e Turqisë duke kurorëzuar me republikë këtë shtet të ri.

 

Në datën 23 prill 1924 Ataturku vendosi që “23 Prilli” të kremtohej si festë zyrtare. 5 vite më vonë, në 23 prill 1929 Ataturku këtë festë ua bëri dhuratë fëmijëve dhe në vitin 1929 për herë të parë Dita e 23 Prillit ka nisur të kremtohet edhe si “Festa e Fëmijëve”. Një ndikim të madh në shpalljen e 23 Prillit si Festë të Fëmijëve kishte edhe dashuria e Ataturkut për fëmijët, të cilët Ai i shikonte si garanci për të ardhmen dhe sovranitetin e Republikës së re të Turqisë. Deri në vitin 1935 kjo ditë u festua me emrin "Hakimiyet-i Milliye" (që do të thotë Sovraniteti Kombëtar), ndërsa më 27 maj 1935 festa mori emrin Dita e Sovranitetit Kombëtar dhe Festa e Fëmijëve. Radiotelevizioni i Turqisë (TRT) pas shpalljes së vitit 1979 nga UNESCO si “Viti i Fëmijëve” filloi organizimin e Festivalit Ndërkombëtar të Fëmijëve-23 Prill duke e ngritur këtë festë në një nivel ndërkombëtar. TRT-ja e pranoi projektin që kishte për qëllim përqafimin e fëmijëve të të gjithë botës dhe edicioni i parë i Festivalit Ndërkombëtar të Fëmijëve-23 Prill u organizua në kryeqytetin e vendit, Ankara, me pjesëmarrjen e 5 vendeve. Këto vende ishin Bashkimi i Republikave Socialiste Sovjetike të Rusisë, Iraku, Italia, Rumania dhe Bullgaria.
Festivali Ndërkombëtar TRT - 23 Prilli organizohet dhe kremtohet çdo vit me parimin “Paqe në vend, paqe në botë” dhe me pjesëmarrjen e mesatarisht 40 shteteve. Deri më sot në këtë aktivitet ndërkombëtar janë përfaqësuar deri në 110 shtete të ndryshme dhe kanë pjesë mbi 20 mijë fëmijë. Që nga viti 1979 deri në vitin 2000 festivali është organizuar në Ankara, ndërsa në vitet e mëvonshme kjo ditë e rëndësishme është kremtuar në metropole të tjerë të Turqisë si: Stamboll, Antalia, Izmir, Bursa e Konja.

 

Sivjet edicionin e 36-të të Festivalit Ndërkombëtar i Fëmijëve TRT-23 Prilli e organizon Gaziantepi, qyteti i 6-të më i madh i Turqisë. Në këtë festival janë ftuar grupe fëmijësh të formuar nga 13 fëmijë të grupmoshës 10-13 vjeç dhe 2 drejtues. Fëmijët mysafirë që kanë ardhur nga vende të ndryshme të botës janë vendosur pranë familjeve mikpritëse me fëmijë, të cilat janë zgjedhur me kontributin e Drejtorisë Rajonale të Arsimit dhe Prefekturës së Gaziantepit me qëllim që ata të kenë mundësi ta njohin më nga afër Turqinë dhe kulturën turke.
Gjatë javës së festivalit fëmijët e vendeve të ftuara, të cilët janë pritur me kënaqësi nga populli i Gaziantepit, në fillim vizituan Prefektin dhe Kryetarin e Bashkisë së Gaziantepit, pastaj ata kaluan në kryeqytetin e vendit, Ankara, ku vizituan Mauzoleun e Liderit të Madh Ataturkut, i cili këtë datë të shënuar ua ka bërë dhuratë fëmijëve, vizituan Presidentin, Kryeministrin, Kryetarin e Parlamentit dhe Drejtorin e Përgjithshëm të TRT-së, organizatorit kryesor të këtij festivali.
“Festivali i 36-të Ndërkombëtar i Fëmijëve TRT-23 Prill”, i organizuar nga kanali televiziv TRT Çocuk, ndërmjet datave 17-23 prill edhe këtë vit vazhdon të argëtojë fëmijët në parkun Masal të Gaziantepit me aktivitetet surprizë dhe “Vendin e Fëmijëve” (Çocuk Ülkesi).

 

Java Festive e realizuar ndërmjet datave 16-23 prill filloi me Marshimin e Festivalit. Në këtë marshim morën pjesë grupet e fëmijëve mysafirë, të cilët dhuruan një gosti pamore të mrekullueshme me vallet që performuan me kostumet e larmishme dhe nën shoqërimin e muzikës së tyre tradicionale.

 

Krahas aktiviteteve të ndryshme në programin special të Natës Gala të Festivalit të 36-të Ndërkombëtar i Fëmijëve TRT – 23 Prilli do të ketë edhe një show madhështore audio-vizuale, ku do të marrin pjesë të gjitha vendet e ftuara dhe që do të lërë gjurmë të pashlyeshme për shumë vite në memorie. Nata finale do të transmetohet drejtpërdrejt nga shumë televizione dhe në këtë program special fëmijët e botës dhe ata turq do të takohen në një skenë dhe do të ndajnë me botën gëzimin e përbashkët.

 

Besojmë se kur të ketë përfunduar Edicioni i 36-të i Festivalit Ndërkombëtar të Fëmijëve-23 Prilli, që organizohet nga Radiotelevizioni turk (TRT), dhe fëmijët ti kemi përcjellë për në vendlindjen e tyre, festivali madhështor dhe i mrekullueshëm i këtij viti nuk do të fshihet asnjëherë nga kujtesa e fëmijëve dhe të gjithë atyre që ishin pjesë e këtij gëzimi të madh. Shpresojmë se fëmijët mysafirë kur të kthehen në vendet e tyre do të vazhdojnë ti ruajnë lidhjet që ndërtuan këtu dhe do të jenë secili nga një “Ambasador Kulturor” i Turqisë dhe do të shndërrohen në nga një përfaqësues të ndjenjës së dashurisë dhe mirëkuptimit të paqes, për të cilën bota sot ka nevojë më tepër se asnjë herë tjetër.

 

 


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme