Qyteti i një mbi një dritareve

Berati u përket qyteteve të rrallë ku jeta fillon qysh në lashtësinë e thellë dhe vazhdon pa u ndërprerë deri më sot.

60980
Qyteti i një mbi një dritareve


Rrethi i Beratit shtrihet kryesisht në një territor me reliev malor e kodrinor, me lartësi mesatare mbi nivelin e detit 455 m (qyteti 58 m). Në mjedisin natyror të Beratit dallohen: zona fushore e kodrinore e Beratit dhe e Kuçovës, mali i Tomorrit 2417 m dhe ai i Shpiragut 1218 m si edhe lugina e Osumit dhe e Tomoricës. Zona fushore dhe ajo kodrinore janë baza e zhvillimit të prodhimit bujqësor, ndërsa malet dhe luginat përfaqësojnë burime të mëdha pyjore, kullosore dhe hidrike, ende të pashfrytëzuara si potenciale të rëndësishme të zhvillimit ekonomik e mjedisor.


Përmes qytetit rrjedh lumi Osum, i cili i jep nje bukuri të veçantë këtij qyteti të gurtë.Ai e freskon në verën e tij të nxehtë dhe me ujrat e tij,ushqen bimësinë për rreth. Ai paraqet interes për bujqësinë, energjitikën, hidrogjeologjinë, ekologjinë dhe urbanistikën. Krijon rrjedhën e tij të plotë pranë Vithkuqit, vend që merret si pika e fillimit të lumit. Në basenin e Osumit veshja bimore përbëhet nga pisha, bredhi, dushku e shkurre të tjera mesdhetare. Në zonën e Çorovodës e Skraparit krijon kanione vertikale shumë të bukur, me forma të ndryshme, me thellësi deri 150 m e 15-20 m të gjera.

Historia

Berati u përket qyteteve të rrallë ku jeta fillon qysh në lashtësinë e thellë dhe vazhdon pa u ndërprerë deri më sot. Dy çekanë guri e datojnë fillimin e jetës para Periudhës së Bronzit (2600-1800 P.Kr.). Dëshmitë arkeologjike tregojnë se në shek. VII-VI P.Kr. Këtu është zhvilluar një vendbanim paraqytetar, me punishtet e tij të qeramikës dhe me një jetë shoqërore të diferencuar. Në kufijtë e legjendës dhe të historisë, ky vendbanim thuhet të ketë qenë Orestiada e lashtë, i quajtur kështu ngaqë aty banonin një fis i pellazgëve, orestët, i pari i të cilëve ishte Oresti, i biri i Agamemnonit. Qyteti i mirëfilltë u themelua më 313-310 P.Kr. si qytet-kështjellë i Dasaretisë, i quajtur Antipatrea nga mbreti Kasandër në kujtim të gjeneralit mëkëmbës të Lekës së Madh. Ky është emri i parë i qytetit. Pas pushtimit romak në shek. II P.Kr. ai u quajt prej tyre Albanorum Oppidum (Fortesa e Arbërve). Në shek. V, nën perandorinë Bizantine, u përforcua dhe e ndryshoi emrin në Pulheriopolis (Qytet i bukur). I pushtuar nga bullgarët në shek. IX, u quajt Belgrad (Qytet i bardhë) – Berati i sotëm.


Nën zotërimin e Muzakajve, në shek. XIII-XIV, qyteti filloi të shtrihej jashtë mureve të kështjellës. Në këtë kohë Berati arrin shtrirjen më të madhe territoriale, zhvillohet dhe bëhet një qendër e rëndësishme ekonomike, tregtare, administrative e kulturore. Në 1417 qyteti pushtohet nga turqit dhe zhvillimi i tij u ul ndjeshëm, por nga fillimi i shek. XVI ai e mori veten, për tu bërë përsëri një nga qytetet më të mëdhenj të Shqipërisë. Në shek. XVII ai vazhdonte të ishte qyteti më i madh i Shqipërisë, me 500 shtëpi të shpërndara në 30 lagje dhe me 5 medrese. Berati në këtë kohë bëhet qendra kryesore ekonomike e vendit, me zhvillim të madh të zejtarisë e të tregtisë. Tani Berati ishte kryeqendra e sanxhakut të Vlorës të përbërë nga kazatë e: Myzeqesë, Tomoricës, Skraparit, Përmetit, Pogonit, Tepelenës e Vlorës. Në Berat tregtonin mallrat e tyre tregtarë të huaj. Në shek. XVIII Berati bëhet qendër e pashallëkut të madh të Ahmet Kurt Pashës. Ali Pashë Tepelena e bashkoi atë me pashallëkun e tij të Janinës dhe përforcoi muret e kështjellës. Në këtë periudhë tregtarët e mëdhenj beratas kishin marrëdhënie me Venetikun, Triesten, Raguzën, Ankonën, Korfuzin, Maltën, Aleksandrinë, Izmirin, Selanikun, Stambollin, Sofien, Nishin, Belgradin, etj. Berati përdorte dy skela: Vlorën dhe Durrësin. Ai ishte bërë kështu kryeqendër e një sistemi të madh ndërkrahinor. Tregtarët beratas kishin agjencitë e tyre në Durrës, Vlorë, Elbasan, Korçë. Tregtarët e mëdhenj shkodranë kishin në Berat agjencinë e tyre tregtare.


Berati mori pamjen e sotme në shek. XVIII dhe sidomos në shek. XIX, pas tërmetit të vitit 1851. Në fund të viteve 30 të shek. XIX Berati kishte 8000 banorë dhe si të gjithë qytetet e tjerë ruante karakterin e ekonomisë së vogël zejtare. Tashmë ishin shfaqur punishtet e tipit të manifakturave, por ende të paçliruara nga normat tradicionale esnafore. Nga mesi i shek. XIX Berati zinte vendin e dytë pas Shkodrës për fuqinë ekonomike të tregtarëve të mëdhenj, të cilët kishin korrespondentë ose agjenci në Durrës e Vlorë si edhe në Trieste, Korfuz e Maltë. Ekzistonin punishte me 5 deri 10 krahë pune dhe disa fabrika të vogla mielli e vaji. Në fund të viteve 1800 në qytet kishte 820 punishte zejtare e dyqane, duke qenë kështu qendra më e lulëzuar ekonomike, tregtare e kulturore e Shqipërisë së Jugut.


Deri në mes të shek. XX në Berat ekzistonin ende tre tregje të gjerë të cilët funksiononin rregullisht çdo të shtunë: Pazari i misrit, Pazari i bulmetit dhe Pazari i gjësë së gjallë. Tregu kishte 4 qendra kryesore: të opingarëve, të mestexhijve, të tabakëve dhe të kazanxhijve. Ekzistonte edhe tregu i ri, me 100 dyqane moderne ku përfaqësoheshin të gjitha llojet e tregtive. Për nga numri i zejtarëve Berati ishte në vend të parë; ushtroheshin rreth 23 lloj zeje. Çdo zeje sistemohej në një rrugë të cilës i jepte emrin. Deri në gjysmën e dytë të shek. XX vazhdonin të ekzistonin rrugët e: kazanxhinjve, bakërxhinjve, xhokaxhinjve, leshpunuesve, rrobaqepësve, kazazëve (qëndistarë), argjendarëve, armëtarëve, opingarëve, kujinxhinjve, samarxhinjve, etj.

Kultura

Në vitin 1961, Berati u shpall zyrtarisht qytet muze. Ai është qytet muze me pasuri të konsiderueshme monumentesh dhe me vlera të larmishme për nga gjinitë, të cilat përbëjnë një dëshmi të trashëgimisë kulturore, historike e artistike, të jetës e të punës, të realizuara mjeshtërisht brez pas brezi nga banorët e tij. Nga zonifikimi dhe nga përcaktimi i kategorisë së monumenteve qyteti ndahet në tri zona : zona muze, zona e mbrojtur dhe zona e lirë.


Sot Berati trashëgon 210 objekte muzeale, nga të cilat 150 janë objekte në këmbë. Prej tyre 60 janë monumente të kategorisë së parë dhe të tjerat të kategorisë së dytë.


Midis këtyre vlerave, nga më të spikaturat janë: Kështjella ose kalaja, siç quhet nga beratasit është ndërtuar mbi kodrën shkëmbore në formë trekëndëshi, me perimetër të mureve 1440 m, me 24 kulla e me dy porta. Me themelet e saj ilire, e rindërtuar disa herë në shekujt VI, XIII, XV dhe XIX ajo është sot jo vetëm një nga kështjellat më të mëdha të banuara, por edhe një arkiv i gurtë që ofron varietete stilesh dhe kontributesh të epokave të ndryshme: ilire, romako-bizantine, shqiptare e turke. Kështjella është pjesë e legjendës së vjetër e të bukur të Tomorit dhe Shpiragut.


Ura e Goricës është një nga monumentet e kulturës dhe të arkitekturës së Beratit dhe njëkohësisht një nga simbolet e tij. Rreth viteve 1780 me përkujdesjen e Ahmet Kurt Pashës, nga urë druri në pjesën e sipërme, ajo u ndërtua e gjitha prej guri. Ajo u rindërtua përsëri duke marrë pamjen që ruan sot, me parmakë betoni, në vitin 1922 nga bashkia e qytetit. Është 129,3 m e gjatë, 5,3 m e gjerë, ngrihet 10 m mbi lumë dhe ka 7 harqe me hapësira 9 deri 16,7 m.


Disa kapitole dhe kolonada dëshmojnë se në Berat kanë ekzistuar kisha paleokristiane të shekujve IV–VI (Shën Todri). Ndër kishat më të bukura të ndërtuara në shekujt XIII-XIV janë: Shën Mari Vllaherna, Shën Triadha dhe Shën Mëhilli. Në Berat ka edhe një numër ndërtesash të fesë islame, me vlera të shquara arkitektonike e artistike, si: teqeja e Helvetive, Xhamia e Beqarëve, Xhamia e Plumbit, etj. Këto kisha, xhami dhe ndërtesa të tjera urbane, sidomos ansamblet e lagjeve Mangalem, Kala e Goricë, janë perla të arkitekturës mesjetare. Nga përshtypja e veçantë që të krijon ansambli i Mangalemit, Berati është quajtur edhe qyteti i një mbi një dritareve.
Në Berat është gjetur një vepër e rrallë, epitafi i Glavinicës, një krijim i mirënjohur i vitit 1373, i qëndisur në ar, argjend e mëndafsh, që tregon Krishtin e vdekur të kurorëzuar, të rrethuar me shkrime greke.


Kishat e Beratit janë të zbukuruara me piktura të stilit bizantin e pas-bizantin, të krijuara nga artistë të ndryshëm të shekujve XII-XIV dhe nga mjeshtrat e shekullit XVI: Onufri dhe biri i tij Nikolla. Katedralja e Shën Marisë shquhet për ikonostasin e saj, të gdhendur në dru të larzuar me ar, një vepër artistike e cilësisë së parë.
Me një fanatizëm të denjë që të quhet i shenjtë, në Berat janë ruajtur dëshmi dorëshkrimore, të cilat dëshmojnë nivelin veçanërisht të lartë të kulturës së qytetit. Më e rëndësishmja nga këto dëshmi është Kodiku i Purpurt (Codex Purpureus Beratinus ) i shekullit VI, i shkruajtur në pergamen të purpurt. Ai është një nga katër kopjet e vetme të gjetura në të gjithë botën. I dyti është Kodiku i Artë (Codex Aureus) i shekullit IX, i shkruajtur në pergamen me shkronja ari. Që të dy këta kodikë përmbajnë pjesë nga ungjijtë të shkruajtura në greqishen e vjetër. Këta kodikë u rizbuluan në kështjellë në 1972 dhe ruhen sot në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë.
Në malin e Tomorit, qysh nga viti 1996, një zonë prej 4.000 ha është shpallur Park Kombëtar. Për nga numri i vizitorëve ai renditet i dyti në vend, pas Parkut Kombëtar të Dajtit.

Turizmi

Berati është një qytet që vizitohet në c’do stinë të vitit. Janë visitor vendas dhe të huaj.Pamja interesante dhe e veçantë e qytetit,vlerat kulturore dhe historike të tij,mikëpritja dhe gastronomia,janë vlera të patjetërsueshme të këtij qyteti. Tradicionalisht në Berat vizitori ka gjetur mikpritje të veçantë, përjetimin e një ambienti të këndshëm e shlodhës, rastin që të shijojë një kuzhinë karakteristike tradicionale të kombinuar me atë moderne, ku përfshihen ullinjtë e famshëm, mishi i qengjit dhe ai i gjelit të detit dhe verërat e prodhuara nga vreshtat rreth qytetit.


Dega më e zhvilluar e turizmit deri më tani ka qenë punime të artizanatit. Artizanati, për qytetin është një vlerë e trashëguar e cila mirëmbahet edhe sot në Berat në disa gjini, si: gdhendje në dru qëndistari, punime në argjend dhe në metale të tjera, punime në kashtë, gdhendje në pllaka guri, punime dekorative me gur etj.


Vitet e fundit ka një rigjallërim të ketyre mjeshtërive. Vizitori mund të gjejë e mund të blej në disa dyqane gdhendje me pamje karakteristike të Beratit. Punimet e disa prej mjeshtrave janë shpërndarë edhe jashtë vendit. Turizmi është një ndër drejtimet më premtuese të zhvillimit ekonomik të Beratit. Qyteti trashëgon nga e kaluara një varg të gjatë e të pasur vlerash historike, kulturore, etnografike, arkitektonike e të besimeve, të tilla që përbëjnë një potencial të konsiderueshëm për turizmin. Me burimet turistike të qytetit është e mundur që të zhvillohet turizmi familiar dhe ai i organizuar. Në disa zona të rrethit (Tomor) mund të zhvillohet turizmi malor me shumë aspekte brenda tij, si edhe gjuetia.


Tashmë vërehet se komuniteti është ndërgjegjësuar në shkallë të ndjeshme për këto vlera, por akoma nuk janë gjetur rrugët adekuate për futjen e shpejtë në eficiencë të këtyre burimeve. Ka shumë për të bërë në drejtim të restaurimit e ruajtjes së vlerave të trashëguara, në sigurimin e infrastrukturës së nevojshme urbane dhe në promovimin turistik të zonës.


Në Sesionin e 32-të të Komitetit të Trashëgimisë të UNESCO-s të zhvilluar në Kanada më 8 korrik 2008, Berati u regjistrua si sajt i trashëgimisë botërore.


Berati ndodhet 120 km larg kryeqytetit – Tiranë, 92 km larg Durrësit dhe 85 km larg Vlorës. Pozicioni gjeografik është shumë i favorshëm për transportin e tranzitin si edhe për komunikimin ekonomiko-shoqëror me shumë rrethe të vendit. Berati me anë të largësive 40-50 km komunikon direkt me 6 rrethe të vendit: Lushnje Fier, Memaliaj, Këlcyrë, Çorovodë, Kuçovë, Elbasan. I vetmi qytet që i afrohet Beratit për nga shkalla e komunikimit me të gjithë perimetrin e tij është Elbasani, i cili komunikon direkt me 5 rrethe. Nga analiza të tilla del se Berati është potencialisht qendra më e madhe e kryqëzimit të rrugëve dhe kalimeve në territorin e vendit. Berati është ngritur në një pozicion gjeografik të mrekullueshëm klimaterik, me aftësi komunikimi, tranziti, prodhimi e përpunimi që rrallë i ka ndonjë qytet tjetër. Aktualisht Berati ka vetëm një dalje me rrugë kombëtare, atë që e lidh me Lushnjen e që prej aty degëzohet për Fier-Vlorë e Durrës-Tiranë. Lidhjet e tjera janë me rrugë dytësore, me parametra teknikë të ulët e të pamirëmbajtura. Ndërtimi i segmenteve të tjerë rrugorë, sipas studimeve të ndryshme, do të përmirësonte komunikimet me zona të tjera, duke hapur mundësi për një zhvillim më të shpejtë dhe intensiv të Beratit.


Qyteti i Beratit ose qyteti i “një e mbi një dritareve” përbën rastin më unikal të një qyteti turistik, që pret e përcjell turistë gjatë gjithë stinës së vitit. Kjo për arsyen e thjeshtë, sepse ndryshe nga shumë qytete të tjera, të cilat kushtëzohen nga periudha e plazhit, Berati ka një turizëm kulturor në gjithë stinët e vitit.
Harta e ekoturizmit dhe ajo e turizmit kulturor është mjaft e pasur me vlera që ndoshta u mungojnë edhe qyteteve më të vjetra të botës.


Legjenda


Dy djem të rinj, të bukur dhe të pashëm jetonin dikur këtyre anëve. Njëri quhej Tomorr dhe tjetri Shpirag. Të dy ishin të dashuruar marrëzisht me të njëjtën femër: Zanën e maleve, e cila nuk mundi të vendoste as për njërin e as për tjetrin.Historia e dashurisë zgjati shumë, derisa të dy djemtë rrëmbyen armët dhe dolën në shesh të mejdanit për ta zgjidhur e mbyllur këtë histori. Shpiragu ishte i armatosur me topuz ndërsa Tomorri mbrohej me një kamë të mprehtë.


Dylyftimi zgjati shumë. Tomorri me kamën e tij i shkaktoi shumë plagë Shpiragut duke e bërë vija – vija, ndërsa Shpiragu e goditi Tomorrin fort me topuzin e tij duke i hapur shumë gropa.
Zana e maleve që ndiqte luftën, nuk mundi të duronte dot këtë tragjedi që po ndodhte për shkak të saj. E shkrehur në lot, ajo iu lut perëndive që të ndalonin këtë dyluftim mizor. Perënditë ndërhynë duke ngrirë gjithçka. Trupat e dy djemve u shndërruan në dy male. Ndërsa lotët e vajzës u bënë një ujëvar e rrëmbyeshme që krijoj lumin Osum.


Po të shikohet me kujdes, Tomorri edhe sot ruan në trupin e tij gropat e shkaktuara nga topuzi i Shpiragut, ndërsa Shpiragu ruan ende vijat e shkaktuara nga shpata e mprehtë e Tomorit. Lumi i Osumit që kalon poshtë këmbëve të kalasë, nuk është gjë tjetër veçse lumi i lotëve të derdhur nga zana e maleve, lot që në emër të dashurisë nuk shteruan kurrë.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme