Sternat e Justinianit, atraksioni më i njohur turistik në Stamboll

Sternat historike të Stambollit vazhdojë të jenë një nga atraksionet historike dhe kulturore më të preferuara nga turistët vendas dhe të huaj.

Sterna e Bazilikës (Pallatin nën ujë)

Për një periudhë të gjatë në histori Stambolli ka qenë kryeqendra e Romës Lindore, Bizantit dhe Shtetit Osman. Qyteti vazhdon të jetë një atraksion turistik kulturor dhe artistik edhe me sternat e ndërtuara në të kaluarën për të plotësuar nevojat për ujë.

Më e njohura prej tyre është Sterna e Bazilikës, ose siç njihet ndryshe “Pallati nën ujë” (“Yerebatan Sarayı” në turqisht) për shkak të madhështisë ndërmjet kolonave të mermerta, të cilat ngrihen nga brenda ujit. Sterna e Bazilikës është 140 m e gjatë, 70 m e gjerë dhe në të zbritet me anë të 52 shkallëve të gurta. Ajo shtrihet në një sipërfaqe rreth 9.800 m2 dhe ka 12 reshta me nga 28 kolona, të mbështetura në harqe tullash dhe qemerë të kryqëzuar. Me pamjen e një galerie, Sterna e Bazilikës ka gjithsej 336 kolona nga 9 m të larta.

Plot 295 nga kolonat në fjalë, shumica e të cilave u përkasin objekteve akoma më të moçme dhe janë shfrytëzuar përsëri në ndërtimin e sternës, ndodhen në pjesën aktualisht të vizitueshme të monumentit, ndërsa 41 të tjera në pjesën e mbyllur.

Emri “Bazilika”, i cili lakohet kryesisht në burimet perëndimore për këtë sternë me kapacitet depozitimi afro 100.000 tonë ujë, i referohet Bazilikës Ilius, shumë pranë sternës. Jo pak dokumente antike tregojnë se në ndërtimin e saj janë angazhuar 7.000 punëtorë.

Sterna e Bazilikës ka plotësuar për shekuj me radhë nevojën për ujë të pallateve perandorake bizantine e otomane, por edhe të banorëve të zonës përreth tyre. Ajo është restauruar dy herë gjatë periudhës së Perandorisë Osmane. Për herë të parë është meremetuar gjatë kohës së Sulltan Ahmetit III (1723) nga arkitekti Mehmet Agë Kajseriliu, ndërsa restaurimi i dytë është bërë gjatë periudhës së Sulltan Abdulhamitit II (1876-1909). Për emrin e arkitektit nuk ka të dhëna të sakta.

Përveçse është një muze kombëtar shumë i frekuentuar, Sterna e Bazilikës mirëpret gjithashtu një numër të madh aktivitetesh kombëtare e ndërkombëtare. Ajo u shndërrua në muze nga Bashkia Metropolitane e Stambollit pas ndërtimit të një platforme për shëtitjen e këmbësorëve në brendësi të saj, në vitin 1987. Kurse në 1994-n iu nënshtrua një tjetër mirëmbajtjeje të madhe dhe pastrimi tërësor.

 


Fjalët Kyçe: Stamboll , sternat historike të Stambollit , Sterna e Bazilikës