Llava e vullkanit La Palma arrin në Oqeanin Atlantik

Llava që shpërtheu nga vullkani në ishullin spanjoll La Palma, 10 ditë pas shpërthimit, mbërriti në oqeanin Atlantik. Thuhet se llava mund të shkaktojë dëme serioze mjedisore si dhe të shkatërrojë plotësisht plazhin në të cilin është derdhur.

Llava e vullkanit La Palma arrin në Oqeanin Atlantik

Sipas ekspertëve kontakti i llavës me një temperaturë mbi 1.100 gradë Celsius me ujin e detit në rreth 20 gradë Celsius mund të krijojë reaksion kimik dhe të lëshojë gazra toksike. Autoritetet në rajon u kanë bërë thirrje qytetarëve të qëndrojnë të paktën 3,5 kilometra nga vendi ku llava është derdhur në det. Autoritetet lokale dhe vullkanologët në rajon kanë thënë se pavarësisht gjithçkaje shpërthimet janë një proces normal dhe se nuk ka asnjë situatë që do të shkaktonte panik edhe nëse duhen marrë masa paraprake. Llava nga Cumbra Vieja deri më tani ka shkatërruar rreth 24 kilometra rrugë në ishullin La Palma ndërsa 686 ndërtesa, përfshirë 589 shtëpi janë shkatërruar në më shumë se 300 hektarë tokë. Shpërthimi i fundit i ngjashëm vullkanik në Spanjë ndodhi në vitin 1971 në të njëjtin ishull, kur shpërtheu vullkani Teneguia.


Fjalët Kyçe: Spanjë , Ishulli La Palma , Cumbra Vieja , Oqeani Atlantik , vullkani La Palma