Parisin e pushtojnë plehrat

Sipas parashikimeve, rreth 8 milionë sportdashës pritet të vizitojnë Francën për të ndjekur Kampionatin Evropian të Futbollit.

Francë 2016

Franca fillon sot mikpritjen e Kampionatit Evropian të Futbollit (EURO 2016) nën hijen e grevave dhe protestave kundër projektrezolutës për reformën e Kodit të Punës, një lëvizje e qeverisë kjo që po e çon vendin në kaos. Kurse për shkak të grevës tashmë 1-javore të punëtorëve të qendrës së asgjësimit dhe riciklimit të mbeturinave në Paris, në rrugët e kryeqytetit janë formuar grumbuj plehrash. Ndërkohë, sindikata e pilotëve të “Air France”, kompania kombëtare ajrore e Francës, bëri me dije përmes një komunikate me shkrim se nuk do të bëjnë hap prapa nga greva, që do të nisë ditën e shtunë. Sindikata paralajmëroi gjithashtu se për shkak të grevës mund të anulohen deri në 30% të fluturimeve. Miratimi i projektrezolutës për reformën e Kodit të Punës, që e ka shtyrë Francën në një valë të madhe grevash e protestash masive, do të çojë në 12 orë punën maksimale ditore, nga 10 orë që ishte më parë; do t’u japë punëdhënësve të drejtën e nxjerrjes nga puna të punëtorëve, që kërkojnë ndryshime në kontratën e punës; do të reduktojë orarin javor minimal prej 24 orësh për punëtorët me gjysmëkohë, si dhe do të ulë pagesat për punën jashtë orarit. Qeveria këmbëngul në miratimin e reformës së Kodit të Punës, e cila në thelb u jep më shumë kompetenca pronarëve për të punësuar apo pushuar nga puna punëtorët. Por sindikatat dhe organizatat e punëtorëve i kërkojnë qeverisë që të tërheqë projektrezolutën nga votimi dhe theksojnë se në të kundërt s’do të bëjnë hap prapa.


Fjalët Kyçe: Euro 2016 , grumbuj plehrash , Paris , grevë e përgjithshme , Francë