Kafeja turke nuk njeh rivalë

Kafeja turke është më shumë kulturë se sa pije.

Kafe turke

Konsumimi i kafesë për shumicën prej nesh është një ritual i përditshëm. Adhuruesit e kafesë nuk e fillojnë ditën pa këtë pije ‘magjike’. Kafeja turke është më shumë kulturë se sa pije, ndërsa në botë kjo është e njohur për shkak të bisedës, mënyrës së përgatitjes dhe shërbimit tradicional. Disa madje do shtonin edhe thashetheme me një filxhan kafe. Emri rrjedh nga fjala arabe “qahwah”.

Rëndësia e kafesë në kulturën turke duket shumë qartë edhe në fjalën “mëngjes” (si vakt), që në turqisht “kahvalti” do të thotë “para kafesë”.

Nëse dëshironi të dini nëse keni marrë kafe të mirë turke duhet të shikoni kajmakun në krye të filxhanit. Ky lloj i kafesë është me kajmak karakteristik të butë. Falë kajmakut kafeja qëndron e nxehtë një kohë më të gjatë.

Kafeja turke zakonisht shërbehet me një gotë të vogël uji. A keni menduar ndonjëherë pse me ujë? Pirja paraprakisht e ujit do t’ju ndihmojë ta ndjeni shijen e vërtetë të kafesë, ndërsa pas konsumimit të kafesë do t’ju ndihmojë ta shpërlani qiellzën nga mbeturinat e pa filtruara.

Llokumi bën që gjithë rituali të jetë më i mirë. E tëra është kur ka gjithçka, forma e qelqit, ngjyra e kafesë dhe një copë llokum e plotësojnë tablonë, kur është fjala për kafe turke. Llokumi shton ëmbëlsinë e shijes së hidhur të kafesë turke, e cila është e rëndësishme për ata që pinë kafe pa sheqer. Vjehrrat i vlerësojnë dhe gjykojnë nuset se si e përgatisin kafenë.

Në traditën turke një nga mënyrat për përcaktimin e burrërisë së dhëndrit të ardhshëm është hedhja e kripës në kafe. Me kripën nusja sinjalizon ndjenjat e saj ndaj dhëndrit të ardhshëm. Në fakt kripa e tepërt në kafe tregon se vajza nuk është e interesuar për djalin, sasia e mesme e kripës tregon se djali është i mirë ndërsa sasia minimale e kripës tregon se djali ka shans të mirë dhe se vajza është e gatshme për tu martuar. Nëse kandidati për dhëndër e pinë të gjithë filxhanin me kafe të kripur, ai tregon pjekuri, por edhe gatishmëri që të martohet me vajzën kandidate.

Kafeja turke është vendosur në listën e trashëgimisë kulturore të UNESCO-s. Vendimi është marrë në seancën e 8-të të Komitetit ndërqeveritar të UNESCO-s, mbajtur në vitin 2013 në kryeqytetin e Azerbajxhanit, Baku.

Nga e kaluara, dihet se kur shkoni për vizitë diku apo për gosti ju shërbejnë kafe dhe llokum. Kjo kënaqësi e ëmbël vazhdon të ekzistojë si traditë prej shumë vitesh.


Fjalët Kyçe: kafe turke , UNESCO , kafe dhe llokum , servirja e kafesë turke , fall kafeje