Protestat mbërrijnë në dyert e Shtëpisë së Bardhë

Prej disa netësh me radhë dhuna i është afruar edhe Shtëpisë së Bardhë. Forcat e rendit u përballën përsëri me protestuesit në Sheshin Lafayette të Uashingtonit, ndërsa zjarrfikësit shuan një zjarr në pjesën e poshtme të kishës historike të Shën Gjonit në anën tjetër të rrugës që e ndan nga Shtëpia e Bardhë.

Protestat në ShBA

Për shkak të protestave që shpërthyen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) pas vdekjes së George Floyd nga dhuna e policisë në shtetin Minesota, në kryeqytetin Uashington u shpall ndalimqarkullimi nga ora 23.00 e ditës së diel deri të hënë në mëngjes (06.00). Në lagje të ndryshme të Nju-Jorkut herë pas here gjatë protestave pati konfrontime mes protestuesve dhe forcave të rendit. Trazirat në të gjithë Amerikën kanë pasuar protestat përgjithësisht paqësore pas vdekjes në Mineapolis të 46-vjeçarit George Floyd, afroamerikanit që humbi jetën pasi një oficer i bardhë e kishte vënë poshtë, duke i mbajtur gjurin mbi qafë për më shumë se tetë minuta.


Fjalët Kyçe: Shtëpia e Bardhë , Uashington , protesta të dhunshme , George Floyd , Mineapolis , Minesota